Gjermania: Hamasi mund të përfitojë

Bashkimi Europian nuk arriti të flasë me të njëjtën gjuhë pas takimit të ministrave të Jashtëm në Bruksel. Thirrja për respektimin e pauzave të përkohshme të luftimeve për t’i hapur rrugë ndihmave humanitare dhe evakuimit të të plagosurve dhe civilëve nga zonat e luftimeve ishte e vetmja pikë që bashkoi kryediplomatët e 27 shteteve anëtare.

Megjithatë, thirrja për armëpushim të menjëhershëm ndaj Izraelit e mbështetur nga Franca, Spanja, Belgjika apo Irlanda, nuk gjeti dakordësi unanime. Kundër ishte Gjermania që pas sulmit të Hamasit të 7 Tetorit ka qenë shumë mbështetëse ndaj qeverisë së Netanjahut.

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Analena Berbok tha se nga një armëpushim i menjëhershëm mund të përfitojë Hamasi për të rigrumbulluar forcat.

Më herët, Presidenti amerikan Joe Biden, vendi i të cilit ka propozuar pauzat ditore të luftimeve, bëri thirrje që spitalet të mbrohen nga sulmet ushtarake.

Në të gjithë Gazën, spitalet janë jashtë shërbimit, përfshirë edhe atë më të madhin Al-Shifa, që është sulmuar ditët e fundit nga ushtria izraelite që thotë se aty Hamasi ka qendrën e komandimit. Ndërkaq, ushtria izraelite që ndodhet në terren në Gaza ofroi inkubatorë për foshnjat e lindura para kohe dhe që rrezikojnë jetën pas mbylljes së këtij spitali. 

Tv Klan