Një raport i Aleancës së Vaksinave ka vënë në dukje pabarazinë që ka sot në botë në procesin e vaksinimit. Sipas këtij raporti vendet e pasura vaksinojnë nga një person çdo sekondë, ndërsa vendet e varfra nuk kanë marrë ende asnjë dozë.

Po ashtu theksi vendoset edhe tek bllokimi që po bëjnë vendet e pasura lidhur me dërgesat e vaksinave, duke vështirësuar edhe më shumë jetë në vendet e varfra.

Një nga udhëheqësit e Aleancës së Vaksinave, Muhamed Yunus, që është një profesor laureat i Nobelit ka thënë se duhet vepruar tani dhe shpejt.

Është krejtësisht e padrejtë që vendet e pasura, të cilët kanë mjaft vaksina për të mbrojtur qytetarët e tyre, po bllokojnë dërgesat që mund të ndihmojë vendet e varfra të marrin vaksinat e nevojshme“, tha Yunus.

Aleanca e Vaksinave është një grup organizatash përfshirë Oxfam International, Frontline AIDS, UNAIDS dhe të tjerë, dhe kanë për synim që të ndihmojnë vendet e vrafra dhe të thyejnë monopolet farmaceutike.

Ndërkohë drejtoresha ekzekutive e Oxfam, Gabriela Bucher, tha se situata e tanishme është e rëndë, pasi ndërmarrjet farmaceutike vendosin se kush jeton dhe kush vdes./tvklan.al