Në Tajvan, masat e menjëhershme për të kontrolluar pandeminë ishin aq të suksesshme saqë tani vendi po eksporton me miliona maska për të ndihmuar BE-në, por edhe vendet e tjera.

Gjermania ka ndërmarrë programin më të madh të testimeve në Europë, duke zhvilluar 350 mijë çdo javë. Në këtë mënyrë ata e zbulojnë virusin herët për të izoluar dhe trajtuar pacientin me efektivitet të plotë.

Në Zelandën e Re, kryeministrja mori masa të menjëhershme për të mbyllur turizmin dhe për të vendosur vendin në karantinë për një muaj. Deri më tani atje kanë humbur jetën 4 persona.

Të tre këto vende janë përshëndetur fort për mënyrën se si e kanë përballur pandeminë. Njëra në Europë, tjetra në Azi dhe një në Paqësorin e Jugut.

Megjithatë një gjë e kanë të përbashkët: udhëhiqen nga femra.

CNN shkruan se këto vende, të gjitha demokraci me shumë parti dhe me një nivel të lart të besimit të qeverive, kanë arritur që ta mbajnë pandeminë me ndërhyrje të shpejtë shkencore. Këto vende kanë implementuar testime të gjera, akses të lehtë në trajtimet mjekësore me cilësi, gjurmim agresiv të rasteve dhe kufizime të forta të grumbullimeve.

Në Tajvan, një vend me 24 milionë banorë, që është hequr nga OBSH-ja për shkak të pretendimeve të Pekinit do të kishte qenë shumë i cënuar nga pandemia. Megjithatë kur Presidentja Tsai Ing-wen dëgjoi për virusin e panjohur që po infektonte qytetarët në Wuhan, urdhëroi që të gjithë avionët që vinin nga atje të inspektoheshin.

Ajo vendosi një qendër komande për epideminë, rriti prodhimin e pajisjeve mjekësore siç janë maskat dhe pezulloi fluturimet nga Kina, Hong Kongu dhe Makau. Ndërhyrja e menjëhershme e lideres atje ka bërë që Tajvani të ketë 393 raste të konfirmuara dhe gjashtë viktima.

Gjermania, me 83 milionë qytetarë ka mbi 132 mijë të infektuar, por një vdekshmëri të ulët, shumë më të ulët se vendet e tjera europiane. Gjermania ka më shumë shtretër për terapi intensive dhe programin më të gjerë të testimeve se çdo vend tjetër në Europë.

Zelanda e Re është një ishull me 5 milionë banorë, që varet shumë nga turizmi. Por kryeministrja Jacinda Ardern nuk hezitoi të mbyllte kufijtë për të huajt më 19 Mars. Katër ditë më vonë, ajo shpalli karantinën për 4 javë, ndërsa u kërkoi që punonjësit të punojnë nga shtëpia. Atje janë regjistruar 1 300 raste me koronavirus dhe vetëm 9 të vdekur.

Katër nga pesë vendet nordike udhëhiqen nga femrat. Të gjitha vendet e tjera kanë vdekshmëri më të ulët nga koronavirusi krahasuar me pjesën tjetër të Europës. Kryeministrja e Finlandës Sanna MArin është udhëheqësja më e re, vetëm 34 vjeçe dhe ka aprovimin e 85% të finlandezëve për gatishmërinë ndaj koronavirusit. Atje ka 59 viktima për një popullsi prej 5.5 milionë banorësh.

Kryeministrja e Islandës udhëheq një vend të vogël me 360 mijë banorë. Atje gjysma e të infektuarve janë asimptomatikë. Megjithatë Islanda ka vepruar shpejt, ka gjurmuar në mënyrë agresive rastet dhe ka karantinuar rastet e dyshuara. Nga meshkujt lider i vetmi që kalon provën sipas CNN është Presidenti i Koresë së Jugut Moon Jae-in.

“Por shumë vende të tjera që udhëhiqen nga meshkuj të paaftë dhe kundër shkencës kanë çuar në shpërthime katastrofike të koronavirusit”, shkruan CNN.

Epiqendra e pandemisë është tashmë SHBA-ja, ku Trump fillimisht akuzoi opozitën për politizim të virusit. Kjo sipas CNN bëri që numri i viktimave atje të shkojë mbi 25 mijë.

Edhe Boris Johnson, kryeministri britanik nuk e mori me seriozitet krizën e shëndetit nga virusi dhe refuzoi të impononte grumbullimet publike. Përpara se ta pësonte vetë mbi shpinë, ai tha për mediat se nuk do të ndalonte së takuari pacientët në spital.

Dhe së fundi, koronavirusi nuk do të shpërndahej nëse Presidenti Kinez Xi Jinping nuk do të kishte lejuar 5 milionë njerëz të largoheshin nga Wuhan-i, përpara se ta fuste në karantinë.

CNN e mbyll analizën e saj duke thënë se shembujt deri më tani na tregojnë që numri më i madh i liderëve që vepruan me shpejtësi dhe vendosmëri ishin femrat, prandaj bota ka nevojë për më shumë tilla në udhëheqje./tvklan.al