Udhëtimi i Check In në Indi vijon edhe këtë javë në Rajastan, në zbulim të kryeqytetit Jaipur i quajtur ndryshe “qyteti roze”, për ngjyrën karakteristike të ndërtesave të tij në qendrën e vjetër. Një qytet i furishëm dhe kaotik plot kontraste dhe ngjyra që strehon ndërtesa të mrekullueshme, nga “Pallati i Qytetit” deri në “Pallatin e ererava”, tempuj, kopshte, vende të njohura dhe më pak të njohura që meritojnë të vizitohen. Por më simboliku që përmbush portretin e tij qëndron Fortesa “Amer Fort”.

Qyteti i 10-të për nga popullsia në Indi është themeluar në 1727 nga maharaxhai Jai Singh, i cili ishte raxhai i Amerit nga 1699-1743. Amer Fort është një tjetër trashëgimi kulturore e mbrojtur nga UNESCO.

Vetëm 11 km larg qendrës së Jaipurit, në një kodër sipër liqenit Maota, ngrihet madhështore kalaja Amer Fort. Rrënjët e kësaj kështjelle fillojnë nga qytet i lashtë me të njëjtin emër i banuar që në 967 nga fisi i Meenas, por kështjella që shohim sot, mori formë të plotë nga Jai Singh I, i cili e shndërroi në  kryeqendrën e perandorisë së tij në shek. e XVII.

Kështjella ka një sipërfaqe prej 4 km2, në brendësi është e ndarë në 4 oborre.

Gjatë muajit Mars në Jaipur organizohet Festivali i Elefantëve që konsiderohet si një nga ngjarjet më të njohura dhe të famshme për qytetin. Elefantët simbolizojnë mbretëritë sipas traditave të Rajasthanit. Elefanti gjithashtu besohet të jetë i lidhur me Budizmin dhe Xhainizmin. Në fakt vetë elefanti ka një domethënie historike në traditat indiane. Sipas Mitologjisë Indiane, perënditë dhe demonët nxitën oqeanin, me shpresën se do të bëheshin të përjetshëm. Papritmas, nëntë xhevahirë të njohur dolën nga oqeani. Nga nëntë xhevahirët që u rishfaqën, njëri prej tyre ishte një elefant. Që atëherë është konsideruar si një kafshë e çmuar.

“Nuk mund të thuash kam qenë në Indi dhe për më tepër në Jaipur pa bërë një xhiro me elefant. Xhirot me elefantë për t’u ngjitur në pallatin Amber Palace bëheshin vetëm në mëngjes nga ora 9-11, pasi më pas bëhej shumë nxehtë dhe elefantët duhet të pushonin. Kostoja e një xhiroje është 1000 rupi për person ose 15 euro”,

tregoi drejtuesja e emisionit Check In në Tv Klan, Albana Nanaj.

Në Jaipur ndodhet po ashtu një tempull i pushtuar nga majmunët. Tempulli “Galtaji”, 10 km larg nga qyteti, gjendet i vendosur mrekullisht në unazën brenda dy kodrave.

Majmunët janë banorët e përhershëm të këtij tempulli. Ata i sheh kudo dhe sipas vendasve, në tempull banojnë rreth 12 mijë majmunë.

/tvklan.al