Ndryshe nga shumë vende të tjera që kanë marrë masa shumë të ashpra për të frenuar COVID-19, vendet nordike si Suedia, Finlanda dhe Norvegjia nuk kanë vepruar në këtë mënyrë. Teksa pjesa më e madhe e njerëzve në Evropë ndodhen të izoluar, në Suedi qytetarët i shikon në rrugë, lokale dhe mjedise të tjera publike.

Ndërkaq, edhe pjesa më e madhe e klubeve të natës kanë qenë të hapura këtë fundjavë, një gjë kjo që shkon kundër me rregullat e OBSH që ndalon grumbullimet e më shumë se 50 personave në një vend. Në Suedi janë konfirmuar pozitiv me COVID-19 deri më tani rreth 3700 njerëz dhe kanë humbur jetën 105.

Rregulla strikte në këtë vend nuk ka, por megjithatë autoritetet i kanë bërë thirrje kryesisht të moshuarve të qëndrojnë në shtëpi, të kujdesen për higjienën personale si dhe të shmangin udhëtimet.

Po ashtu, në Suedi rezultojnë të hapura edhe shkollat, njerëzit vijojnë të shkojnë normalisht në punë si dhe të gjitha llojet e transportit janë funksionale.

Kryeministri i Suedisë Stefan Lofven, në një deklaratë është shprehur se kushdo e di si duhet të kujdeset për veten. Ai theksoi gjithashtu se në këtë periudhë nuk duhet të përhapet panic, por njerzit duhet të mbajnë disa përgjegjësi në mënyrë që shmangen shifrat tragjike. Një gjë e tillë ka marrë mbështetjen e shumë qytetarëve suedezë.

Sipas asaj që raportojnë mediat vendase, rregullat strikte që kanë marrë të gjitha vendet evropiane dëmtojnë shëndetin mendor. Po ende mbetet në pikëpyetje fakti nëse Suedia apo edhe të gjitha vendet nordike do të kenë të njëtin fat ose jo si Italia e Spanja që janë duke përjetuar kolaps total.

Klan Plus