Ishte fshehur në një bodrum të hapur enkas

RENEA dhe forcat e komisariatit të Policisë së Bulqizës arrestuan mëngjesin e premtes Fadil Tërnovën, i shumë kërkuar dhe i dënuar më parë për vrasje dhe një sërë veprash të tjera të rënda penale. Në bazë të një informacioni të marrë në rrugë operative, për vendndodhjen e tij duke vlerësuar veprat e rënda për të cilat kërkohej, por edhe rrezikshmërinë që ky person paraqiste, Komisariati i Policisë Bulqizë ka kërkuar mbështetjen e forcave speciale RENEA.

Mbi bazën e këtyre informacioneve u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Fundi i arratisë”, në kuadër të të cilit, në fshatin Vajkal të Bulqizës, pas rrethimit të banesës dhe ndërhyrjes së forcave RENEA u bë e mundur kapja dhe prangosja e 32-vjeçarit.

Gjatë momentit të ndërhyrjes ai u gjend i fshehur në ambientet e bodrumit të hapur enkas në një prej dhomave, që ishte i mbuluar me pllakat e dyshemesë. Gjithashtu gjatë operacioni forcat speciale RENEA gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë tip “Glock” që e mbante pa leje dhe fishekë luftarak.

Ky shtetas ishte person i shpallur në kërkim që prej vitit 2018, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Kanosje për të mos kallëzuar krimin” dhe “Armëmbajtja pa leje”. Për këto vepra penale, Gjykata e Shkalles së Parë Dibër i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Ndërkohë Tërnova ka qenë i dënuar për vrasjen e shtetasit me inicialet Sh. Sh., në vitin 2013, në qytetin e Bulqizës, si dhe i proceduar disa herë për vepra të ndryshme penale kundër personit si “Përndjekja”, “Kanosja”, “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të rendit publik’’ dhe “Shkatërrim i pronës’’.

Tv Klan