Një video e postuar në internet bëri që zyrtarët të hedhin dyshime se Rusia mund të jetë goditur së fundmi nga një meteor. Pamjet, të cilat u postuan të dielën, raportohet se janë xhiruar në një zonë të largët pranë lumit Bureya, në rajonin e Khabarovsk. Në to shihet një masë e madhe dheu që ka bllokuar plotësisht lumin e ngrirë.

Vetë toka shfaqet e mbuluar nga pemë të rrëzuara dhe dëborë. Gjithçka duket se ka ardhur nga një kodër që ndodhet aty pranë, e cila ka shenja shkatërrimi.

“Mal në mes të detit”,

janë fjalët plot habi të personit që xhiroi videon. Ai sugjeron se mbi lumë kanë rënë pjesë të kodrës, pasi kjo e fundit u godit nga një meteor. Ai thekson gjithashtu se edhe kodrat që ndodhen pranë kanë mungesë pemësh, e kjo sipas tij, ka ardhur nga impakti i gurit qiellor.

Zyrtarë rusë, duke folur për mediat vendase, thanë se këto lëvizje të çuditshme të masës së tokës në këtë zonë ishin dalluar fillimisht nga një gjahtar

. “Teoria jonë është se kjo mund të jetë shkaktuar nga një meteor, megjithatë është ende herët për të dalë në konkluzione”,

theksuan zyrtarët.

Ngjarja në fjalë sipas këtyre të fundit ka ndodhur disa ditë më parë, por u zbulua vetëm së fundmi për shkak se përreth nuk ka zona të banuara. Ekspertët thonë se meteori ka qenë me përmasa të mëdha, duke marrë parasysh pasojat e lëna.

Meteorët janë të rrallë, por jo të pazakontë në Rusi. Në 2013-n, një meteor fluturoi mbi qytetin e Chelyabinsk duke u rrëzuar në rrethinat e tij dhe askush nuk e pa deri në momentin e fundit.

/tvklan.al