Conte nuk u paraqit në konferencë, por foli ndihmësi i tij

Inter që e siguroi më herët titullin në Serie A e humbi 3 – 2 sfidën me Juventus në Torino, por ashtu siç shkoi ndeshja pati polemika për gjykimin. Arbitri Gianpaolo Calvarese mori vendime të dyshimta dhe në disa raste u shpëtua nga sistemi VAR që korrigjoi gabimin.

Një situatë që me sa duket bëri që trajneri i zikaltërve, Antonio Conte të mos paraqitej në konferencë ku foli ndihmësi i tij, Cristian Stellini, i cili nuk e bëri të qartë nëse ishte nervozuar ose jo për ndeshjen. Edhe ky i fundit nuk deshi të komentonte gjatë atë që ndodhi në fushë.

“Episodet mendoj se flasin vete dhe nuk me takon mua këtu t’i analizoj. Është e drejtë që të shikojmë pamjet dhe kushdo të japë mendimin e tij dhe kush e ka për detyrë do të gjykojë”.

Gazetat në Itali nuk lanë pa përmendur gafat e Calvarese ku në tituj nuk mungonin edhe lojërat e fjalëve. Në këtë sfidë u dhanë 2 kartonë të kuq, u akorduan 3 penallti, pa harruar edhe 1 autogol i anuluar.

Tv Klan