Vendimet e arbitrazhit do të konfirmohen nga Gjykatat Shqiptare



Vendimet e arbitrazhit do të konfirmohen nga Gjykatat Shqiptare

16:27 18/08/2020

Fatura në buxhet për vendimet e arbitrazhit 109.5 milion €

Kuvendi i Shqipërisë pritet të miratojë në sesionin e ardhshëm plenar një ligj, i cili i jep të drejtë gjykatave shqiptare për të vendosur nëse shteti ynë duhet të zbatojë ose jo vendimet e marra nga gjykatat e arbitrazhit ndërkombëtar.

Minsitria e Drejtësisë ka hartuar një projektligj me ndihmën e misionit Euralius, i cili krijon bazën ligjore se si institucionet duhet të veprojnë në momentin që kompani të ndryshme që kanë mosmarrëveshje me shtetin shqiptar kërkojnë dëmshpërblim në gjykatat e arbitrazhit.

Ministria e Drejtësisë thotë se bazuar në nenin 5 të Konventës së Nju Jorkut, gjykatat shtetërore kanë të drejtë të pranojnë ose refuzojnë një vendim arbitrazhi.

 “Janë gjykatat shtetërore ato të cilat kanë kompetencë të përcaktojë se në arbitrazh është ndjekur procedura e duhur, duke ushtruar autoritetin e tyre për të anuluar një vendim arbitrazhi, apo për të refuzuar njohjen dhe zbatimin e vendimeve të arbitrazhit.”

Projektligji është hartuar pas një historie të gjatë padish të kompanive private në vendin tonë, të cilat kanë kërkuar shuma marramëndese dëmshpërblimi për shkelje të të drejtave tregtare në Gjykatat Tregtare Ndërkombëtare.

Në total, buxhetit të shtetit i duhet të paguajë 109.5 milion 6 shoqërive të huaja, ku fatura e vetëm një kompanie është 99.5 milion euro, ndërsa janë në proçes disa dhjetra padi të tjera.

Tv Klan






Të ngjashme