Prioritet, masat e pandemisë dhe shtimi i testimeve

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden do ta ketë menaxhimin e pandemisë së koronavirusit, prioritetin e tij kryesor menjëherë sapo të nisë detyrën.

Ndërsa ka njoftuar vendimet e para që do të marrë Biden në detyrë, skuadra e tij tha se testimet do të shtohen dhe se amerikanëve do t’u kërkohet të mbajnë maska.

Biden do të caktojë një task-force me 12 anëtarë, pavarësisht se numërimi i votave ende vazhdon por rrjetet më të mëdha televizive e shpallen fitues të zgjedhjeve. Një tjetër hap do të jetë nxjerrja e disa urdhrave ekzekutivë, që do të synojnë të përmbysin disa nga politikat kryesore të Trump.

Sipas mediave më të mëdha amerikane, Biden do të rikthejë Shtetet e Bashkuara në marrëveshjen e Parisit për klimën, do të rikthejë vendimin për të dalë nga OBSH dhe do t’i japë fund ndalimit të lëvizjes me 7 shtetet më të mëdha myslimane të botës. Një tjetër vendim do të jetë ai për dhënien e nënshtetësisë për fëmijët që lindin në Shtetet e Bashkuara nga emigrantë pa dokumente.

Në fjalimin që mbajti të shtunën, Biden tha se për Amerikën ishte koha të shërohej dhe se vendi kishte nevojë për unitet në këto momente. Ai dhe zv. presidentja Kamala Harris kanë nxjerrë në treg një faqe interneti për tranzicionin e pushtetit, ku thonë se skuadra e tyre do të fokusohet tek ekonomia, racizmi dhe ndryshimet klimatike.

Tv Klan