“Nën verifikim 25 deputetë të rinj”

Shpallja “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit nuk mund të përbëjë arsye për të nisur një hetim nga SPAK për këdo që është pjesë e listës.

Kreu i SPAK, Arben Kraja shpjegon në Parlament se vetëm nëse do të ketë indicie apo prova për këta persona që kanë shkelur ligjin do kërkohet procedim penal dhe konfiskim financiar.

“Në lidhje me listën e SHBA, duhet të kemi parasysh që lista është një proces që ndodh në SHBA, ne jemi në Shqipëri dhe kemi parashikimet tona si fillohet një procedim penal e si shkohet deri te gjykata. Janë gjëra të ndryshme. Ju garantoj që çdo indicide, apo material që do të kemi ne në dispozicion, në raport me çdo shtetas shqiptar, për kompetencat që kemi, pa diskutim që jemi të vendosur për ta çuar ndjekjen penale deri në fund”.

Në raportin vjetor për 2020 kreu i SPAK përveç vështirësive në vitin e parë të punës së këtij organi të ri foli me shifra për arritjet dhe siguron se rezultatet konkrete nuk do të mungojnë.

Ndërsa kreu i Prokurorisë së Përgjithshme tha se po verifikohen 25 deputetë të rinj dhe se për disa prej tyre u është kërkuar informacion partnerëve ndërkombëtare.

“Duhen bërë verifikime jashtë vendit, i janë bërë kërkesa Interpolit”.

Në seancë e kësaj të hëne në Parlament prezantuan raportin vjetor dhe organe si KLGJ e KLP.

Tv Klan