Ish-Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla dhe familjes së tij i ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se për shkak të përfshirjes në korrupsion domethënës ish-numri një akuzës i ndalohet hyrje në SHBA.

Vendimi është marrë nga sekretari i shtetit Rex Tillerson mbi bazën e informacioneve të besueshme. Ligji po ashtu parashikon që Sekretari i Shtetit ka të drejtë që sanksionet ndaj këtyre individëve dhe familjeve të tyre, t’i miratojë privatisht ose publikisht. Rastin e Llallës, Tillerson ka vendosur ta bëjë publik.

“Sekretari Amerikan i Shtetit, Rex Tillerson e bën ish-kryeprokurorin shqiptar Adriatik Llalla, subjekt të nënit 7031, pika C, të Ligjit për Përvetësime të Theksuara të vitit 2017 (Consolidated Approporiations Act) për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion domethënës. Neni 7031, pika C parashikon që në rastet kur Sekretari i Shtetit ka informacione të besueshme se zyrtarët e huaj janë përfshirë në raste domethënëse korruptive apo shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, i bën ata dhe familjarët e tyre të papërshtatshëm për të hyrë në Shtetet e Bashkuara. Ligji gjithashtu kërkon që Sekretari i Shtetit publikisht ose jo publikisht, t’i bëjë subjekt ata ose familjarët e tyre. Krahas zotit Llalla, Sekretari bën subjekt të ligjit edhe bashkëshorten e zotit Llalla, Ardjana Llalla, vajzën e tij Eni Llalla dhe fëmijën tjetër të tij që nuk është qytetar amerikan”.

Ndalimi nuk prek femijën e vogël të familjes Llalla që ka lindur në Amerikë. Vendimi për ta shpallur non grata ish-kryeprokurorin vjen pas një marrëdhënie të acaruar mes tij dhe ambasadorit amerikan në Tiranë. Donald Lu publikisht e akuzoi Llallën se ishte bërë pengese për reformën në drejtësi, ndërsa ditën që parlamenti zgjodhi Arta Markun në krye të akuzës ambasada reagoi duke e etiketuar atë si prokurori që refuzonte të ndiqte penalisht politikanët.

Përplasja mes të dyve kulmoi 2 shkurtin e vitit të kaluar kur ambasadori Lu e akuzoi se ishte personi që pengonte reformën në drejtësi, ndersa Llalla reagoi të njëjtën ditë duke e akuzuar diplomatin amerikan për shantazh për të mbyllur hetime ku ishin të përfshira kompani të huaja.

Tv Klan