Gazetari Blendi Fevziu është shprehur gjatë rubrikës “Milori Live” në Klan News se me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Ilir Metën legjitimohet qëndrimi më aktiv i Presidentit në një fushatë elektorale.

Përveçse Meta nuk ka shkelur Kushtetutën, Fevziu thotë se vendimi është edhe një konfirmim se si duhet të jetë “kostumi i Presidentit të Republikës”.

“I pritshëm ose jo nuk di të them sepse mendimet ishin të dyanshme. Kishte njerëz që garantonin që votat për shkarkimin e Metës ishin bërë në njërën anë, siç kishte njerëz që mendonin se nuk ishte krijuar kuorumi.

Besoj që “Kushtetuesja” ka ecur në logjikën e pjesës më të madhe të komenteve që ne kemi pasur edhe nëpër studio dhe në fund të fundit të asaj që kam thënë para 1 jave ose 2 javësh, Presidenti ka dalë nga roli i tij i Presidentit. Sjellja e tij në fushatë nuk ishte në formatin dhe në kostumin e Presidentit, por nga ana tjetër të gjitha gjestet e tij, përtej tejkalimit të rolit të Presidentit nuk ishin shkelje të Kushtetutës sepse shkelja e Kushtetutës që është një nga gabimet më të rënda të Presidentit, vetëm ajo e çon në shkarkim, asgjë tjetër. Nëse Presidentit i teket të shkojë në punë me pantallona të shkurtra, me pandofla, natyrisht është një shkelje e madhe e imazhit, por nuk është shkelje e Kushtetutës.

Shkarkimi i Presidentit do të hapte një precedent shumë problematik për Shqipërinë sepse mund të shkarkohej nëse parlamenti do të siguronte mazhorancën, sepse në këtë rast sigurimi i mazhorancës qe një rast specifik për arsye të largimit nga parlamenti. Por tani krijohet një precedent i dytë, pra presidenti me të vërtetë nuk shkarkohet, por Gjykata Kushtetuese në një farë mënyre ka legjitimuar një qëndrim të Presidentit më aktiv se ai normali. Ilir Meta me qëndrimin e tij aktiv në fushatë elektorale, aktiv në zhvillimet politike ka justifikuar që Presidenti ka të drejtë të marrë një qëndrim të tillë. Gjykata Kushtetuese e krijoi këtë precedent.  Sot e tutje një person që do të vijë President i Republikës nëse nuk do të qëndrojë në modelin që kishin krijuar presidentët nga Alfred Mojsiu dhe deri tek Bujar Nishani, mund të marrë modelin e Metës dhe askush nuk mund ta shkarkojë sepse ka një precedent, vetëm nëse ai shkel Kushtetutën. Me vendimin kemi një konfirmim që Meta nuk ka shkelur Kushtetutën, por edhe një konfirmim se cili duhet të jetë kostumi i Presidentit të Republikës. Kostumi i Presidentit të Republikës do të jetë pak a shumë, është i lejueshëm të jetë deri tek kostumi që Ilir Meta ka veshur si President i Republikës”, tha Fevziu./tvklan.al