Gjykata Speciale e Kosovës, me seli në Hagë, ka nxjerrë të enjten një vendim, me të cilin e detyron ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa, t’ua paguajë 207 mijë euro viktimave të vrasjes së paligjshme, ndalimit arbitrar dhe torturës.

Më 16 dhjetor 2022, Mustafa u dënua me 26 vjet burgim nga Gjykata Speciale, si i akuzuar për këto vepra, që sipas gjykatës janë kryer në vitin 1999, kur në Kosovë po zhvillohej luftë në mes të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe.

Sipas aktakuzës, Salih Mustafa, i njohur si ‘komandant Cali’, ka qenë komandant i njësitit gueril BIA, njësit brenda Zonës Operative të Llapit (ZOLL) të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në shpalljen e urdhrit për zhdëmtim më 6 prill 2023, gjykata konstatoi tetë viktima, të cilave do t’u takojë dëmshpërblimi.

Tri prej tyre konsiderohen viktima të drejtpërdrejta. Përkatësisht, sipas vendimit të gjykatës, ata kishin qenë të ndaluar në një qendër ndalimi në Zllash dhe kishin pësuar dëmtime fizike dhe mendore nga keqtrajtimi.

Sipas gjykatës, atyre iu është shkaktuar edhe dëm material pasi ai keqtrajtim ua kishte ndryshuar rrjedhën e jetës dhe pamundësuar zhvillimin e një karriere.

Për këto viktima, me urdhër të gjykatës, u përcaktua dëmshpërblimi prej 80 mijë, 60 mijë dhe përkatësisht 30 mijë eurosh.

Tutje, në urdhër u përfshinë edhe pesë viktima jo të drejtpërdrejta që janë familjarë të një personi të vdekur në prill të vitit 1999 dhe që vdekja e tij, sipas gjykatës, “mund t’u atribuohet veprimeve dhe mosveprimeve të zotit Mustafa si komandant i BIA-s”.

Këta familjarë u dëmshpërblyen veç e veç: Tre prej tyre me nga 10 mijë euro, një me pesë mijë dhe një me dy mijë euro.

Sipas vendimit të gjykatës, përgjegjësinë e pagesës së këtyre dëmeve e ka ekskluzivisht Salih Mustafa.

Aktualisht, sipas gjykatës është konstatuar se Mustafa nuk i zotëron mjetet për ta bërë këtë pagesë dhe kështu pritet përcaktimi i një autoriteti mbikëqyrës në lidhje me zbatimin e urdhrit për dëmshpërblim, i cili do të përcaktojë edhe më hollësisht mundësitë financiare të Mustafës për të paguar dëmshpërblimin.

Tutje, buxheti i shtetit të Kosovës përmes Ministrisë së Drejtësisë është përmendur si opsion për të siguruar pagesën e viktimave.

Pse është dënuar Mustafa?

Mustafa është akuzuar për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Këto krime është thënë se janë kryer në kompleksin e ndalimit në Zllash në Kosovë, në prill të vitit 1999. Sa i përket akuzës për ndalim arbitar, kryegjykatësja Mappie Veldt-Foglia ka thënë se të paktën “gjashtë personave u është ndaluar liria në periudhën 1 prill 1999 – 19 prill 1999”.

“Viktimat u arrestuan nga anëtarë të BIA-s, apo anëtarë tjerë të UÇK-së afër Zllashit”.

Kryegjykatësja Veldt-Foglia ka thënë se qendra e ndalimit në Zllash është kontrolluar nga Mustafa.

Për akuzën e torturës, kryegjykatësja ka thënë se të ndaluarit janë mbajtur në kushte çnjerëzore dhe poshtëruese.

Ajo ka thënë se pika e trajtimit mizor është mbuluar nga pika e torturës dhe si e tillë nuk është shqyrtuar më tej.

“Ata janë mbajtur në kushte të mjerueshme, në mes të bajgave të bagëtive. Ata flinin në ujë, në pellgje, në ahur ishte gjithmonë terr, ata nuk kishin ushqim të mjaftueshëm, kalonin dy tri-ditë pa ngrënë. Kur të ndaluarit kërkuan ujë, ushtarët e BIA-s urinuan mbi ta duke thënë, ‘ja uji’”.

Sipas kryegjykatëses, të ndaluarit janë rrahur me shkop bejsbolli dhe janë djegur:
“Vetë Mustafa ka marrë në pyetje dhe ka keqtrajtuar dy prej tyre”.

Ajo, po ashtu, ka thënë se vetë Mustafa ka urdhëruar vartësit e tij ta rrihnin një të ndaluar derisa ka humbur ndjenjat.

Sipas saj, të ndaluarit janë keqtrajtuar edhe psikikisht.

“Një dëshmitar ka thënë se ka dëgjuar zëra të njerëzve ‘duke bërë si qen, mace’ dhe nuk kanë mundur të flinin”.

Në pikën për vrasje të paligjshme, Veldt-Foglia ka thënë se vdekja e një viktime në periudhën e fundit të prillit 1999, “mund t’i atribuohet veprimeve dhe mosveprimeve të zotit Mustafa si komandant i BIA-s”.

Vetë Mustafa është deklaruar i pafajshëm për këto krime.

Kryegjykatësja Veldt-Foglia ka thënë para shpalljes së vendimit se ka mendime të gabuara se akuzat janë kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe popullit të Kosovës.

“Në asnjë moment nuk është gjykuar UÇK-ja”.

Në një rast, Mustafa e ka konsideruar gjykatën si “zyre të Gestapos”, referencë për shërbimin sekret policor në kohën e Gjermanisë naziste./REL