Lejohen qytetarë për arsye të rëndësishme dhe që janë të pajisur me dëshmi vaksinimi ose test negativ

Prej datës 26 Tetor shteti italian ka shtrënguar masat anti-covid. Një prej tyre është edhe udhëtimi për arsye turistike. Duke nisur nga kjo datë, të gjithë shtetasit shqiptarë dhe të disa vendeve të tjera, nuk mund të udhëtojnë drejt shtetit Italian për arsye turistike.

Ditën e parë të hyrjes në fuqi të vendimit të Italisë, në aeroportin e Rinasit nuk u shënua asnjë problem, pasi pasgjerët ishin njoftuar nga agjencitë e udhëtimit.

Bazuar në vendimin e shtetit italian lejohet të udhëtojnë personat që kanë motive pune, shëndeti, studimi, urgjence, persona të cilët kthehen në vendin e tyre të rezidencës, familjarët e ngushtë të shtetasve shqiptarë të pajisur me leje qëndrimi të rregullt në Itali, për arsye biznesi apo ndonjë motiv të fortë.

Përpos arsyeve të mësipërme të gjithë qytetarët që udhëtojnë në rrugë ajrore, detare apo tokësore duhet të plotësojnë minimalisht një ditë para formularin PLF, si kusht për të udhëtuar.

Për mjekun Albert Troci, vendimi I Italisë vjen në kuadër të masave anti-covid dhe për të patur situatën epidemiologjike nën kontroll.

“Italia ka marrë këtë vendim me disa vende. Siç e dini, në Rumani është një situatë tragjike, kështu që për të kapitalizuar dhe për të mbrojtur këto sakrifica që ka bërë shteti dhe qytetari Italian, është vetëmbrojtje nga një valë e mundshme që mund të pritet”.

Pavarësisht shkallës së lartë të vaksinimit në Itali, ashtu sikurse disa vende të botës kanë nisur vaksinimin, të tjera po diskutojnë për një proces të tillë tek fëmijët, specialisti ISHP, Dritan Ulqinaku shprehet se nuk pajtohet me imunizimin e grupmoshës nën 18 vjeç

“Nuk është se jam shumë partizan I vaksinimit te fëmijët, por jam pro vaksinimit te moshat mbi 18 vjeç. Kështu që nuk është puna vetëm te mbrojtja e shëndetit, por edhe ul qarkullimin e virusit dhe çdo qytetar që është I pavaksinuar ta mendojë me qetësi dhe pa u ndikuar nga sajte të palicensuara”.

Masat e reja kufizuese të Italisë janë të vlefshme deri më datë 15 Dhjetor 2021, më pas do ketë rishikim të tyre.

Klan News