Vendimin e KQZ për të konfirmuar në detyrë dy kryebashkiakun e Matit Agron Malaj, Partia Demokratike e ka cilësuar si një vendim të ndikuar nga kryeministri Edi Rama dhe të dalë mbi ligjin e dekriminalizimit.

Në një deklaratë për mediat Çlirim Gjata në emër të PD, tha se “sot shqiptarët duhet të kishin një kryebashkiak më pak të lidhur me krimin, por Edi Rama vendosi ndryshe me KQZ-në e tij në largim”.  

Sipas PD, Rama sot doli mbi ligjin e dekriminalizimit “duke mbrojtur kryebashkiakun ilegjitim të Matit”.  

“Ligji është shumë i qartë. Agron Malaj është dënuar me burgim për armëmbajtje pa leje. Ligji i dekriminalizimit e ndalon përjetë që ai të kandidojë apo të zgjidhet në një funksion publik. Neni 2 i ligjit të dekriminalizimit parashikon se nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen kryetarë bashkie personat, të cilët janë dënuar me burgim me vendim të formës së prerë, brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, për kryerjen e veprimeve apo mosveprimeve që përbëjnë vepër penale, sipas nenit 278 paragrafi i pestë i Kodit Penal, pra për mbajtjen e armëve në mjedise publike pa lejen e organeve kompetente shtetërore”.

Sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të kishte vendosur për mbarimin e menjëhershëm të mandatit të tij, por iu nënshtrua urdhrave politikë, duke shpërdoruar detyrën dhe besimin e qytetarëve, tha Gjata.

Për sa më sipër, Partia Demokratike njoftoi se do të kallëzojë penalisht 5 anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për shpërdorim të detyrës dhe do të ankimojë në gjykatë vendimin e KQZ-së.

“Vendimi i sotëm provon qartë se Edi Rama nuk e ka dashur kurrë dekriminalizimin, pasi krimi është aleati i vetëm për pushtetin e tij thellësisht të korruptuar dhe të kalbur nga bashkëqeverisja me krimin.

Rasti i Agron Malajt dëshmon edhe njëherë se Edi Rama ka marrë në mbrojtje krimin, duke e promovuar në politikë dhe në administratën publike, pasi me krimin e ka më të lehtë të vjedhë taksat dhe pasuritë e shqiptarëve dhe t;I rrënojë ata ekonomikisht”.  /tvklan.al