Vendimi i një dite më parë i Gjykatës Kushtetuese për të rrëzuar pjesërisht ligjin e ri të pronave të miratuar nga qeveria, për Agjencinë e Trajtimit të Pronës nuk sjell asnjë ndryshim në formulën e re të vlerësimit të pronave.

Drejtoresha Sonila Qato thotë se puna do të vazhdojë normalisht dhe vetëm pas arsyetimeve të kësaj gjykate për rrëzimet e bëra do të shihet nëse do të ketë ndërhyrje në ligj.

Sonila Qato,  Drejtoreshe Agjencia e  Trajtimit të Pronës:

“Shfuqizimi i pikës 3 të nenit 5 nuk sjell asnjë pasojë lidhur me metodologjinë e vlerësimit financiar të pronave të njohura për kompensim deri më sot. Marrja dijeni mbi shfuqëzimin e pikës 5 të nenit 6 të ligjit, e vendos ligjin përpara cënimit të parimit kushtetues të trajtimit të barabartë të pronarëve përpara ligjit, vetëm përsa u përket pronave të cilave u ka ndryshuar zëri kadasral i pronës nga origjina deri më sot, pasi pronarët që kompensohen vlerësimi u bëhet me zërin e origjinës, ndërsa pronarët që përfitojnë kompensimin fizik në pronën e njohur e përfitojnë të plotë në zërin aktual. Jemi shumë të interesuar në këtë pikë, të njihemi me arsyetimin që do të bëjë Gjykata Kushtetuese në zbardhjen e këtij vendimi.”

Por si një nga ankimuesit e ligjit të pronave, Partia Republikane thotë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese e ndryshon në themel ligjin, ndaj Agjencia e Kompensimit të Pronave duhet të ndërpresë menjëherë shqyrtimin e vendimeve.

Maksim Begeja Kryetar i Asamblesë Kombëtare PR :

“Agjencia të ndërpresë punën derisa të amendohet nga parlamenti dhe Kushtetuesja të zbardhë vendimin, në të kundërt çdo vendim është nul. Rrëzimi e ndryshon në themel ligjin, e hedh poshtë, nuk bëhet vlerësim në bazë të gjendjes në vitin 1945.”

Sipas ankimuesve të ligjit, me rrëzimin e pikave 3  dhe 5 të nenit 6, Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar të gjithë nenin që bënte vlerësimin e pronës sipas gjendjes së saj në vitin1945 pa marrë parasysh transformimin dhe gjendjen e saj aktuale sot.

Kërkesa për rrëzimin e ligjit të ri të pronave në Gjykatën Kushtetuese ishte bërë nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, disa deputetë dhe subjekte politike, si dhe disa shoqata pronarësh.

Tv Klan