Në dokumetet eksluzive të siguruar nga televizioni Klan rezulton se Gjykata e Katanias e ka mbyllur hetimin për Saimir Tahirin, pasi prokuroria e Antimafias nuk gjeti prova dhe fakte që implikojnë ish – ministrin Tahiri në trafikun e drogës apo ndihmën e grupit të “Habilajve”.

Prova kryesore ku ishte bazuar Prokuroria e Krimeve të Rënda në Shqipëri, në hetimin ndaj Tahirit ishte dosja e hetuar në Itali për grupin e Habilajve.

Grupi hetimor do t’ia bashkangjisë vendimin e drejtësisë italiane dosjes së saj, në të cilën bëjnë pjesë edhe hetime të tjera të kryera nga prokurorët shqiptarë.

Prokuroria Antimafia e Catanias ka verifikuar gjithçka dilnin si të dhëna nga përgjimet e Habilajve, veçanërisht pjesët që dukej se implikonin Saimir Tahirin, si blerja e bizhuterive për familjarët e Tahirit, blerja e një kostumi për vetë Tahirin dhe verifikimin përmes Interpolit të të gjitha hyrje – daljeve të Tahirit në zonën Shengen dhe mundësinë që në ndonjë prej udhëtimeve të ishte i shoqëruar me Habilajt.

Prokuroria e Krimeve të Rënda dy javë më parë zgjati afatin e hetimeve për ish-ministrit me tre muaj të tjerë. Hetuesit shqiptarë janë në pritje të dy letër-porosive në Itali dhe Mal të Zi. Gjithashtu, prokurorët janë duke kryer disa verifikime për pasurinë e Tahirit dhe rrethin e tij familjar.

Tv Klan