Prokuroria jep pretencën: 8 vjet burg për Tahirin

Prokuroria jep pretencën: 8 vjet burg për Tahirin

16:37 10/09/2019

Ish-ministri: Akuzat të pabaza, nuk kam frikë

Procesi gjyqësor ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri po shkon drejt fundit.Tetë vite burg kërkoi Prokuroria e Krimeve të Rënda për akuzat e trafikut të drogës në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Por ajo që ndodhi më pas gjatë leximit të mbrojtjes nga vetë Tahiri, ishte një spektakël pasi për çdo provë të Prokurorisë, Saimir Tahiri solli argumentet e tij.

Tahiri përfiton nga gjykimi i shkurtuar. Nëse procesi do të zhvillohej normalisht, prokuroria do të kërkonte 12 vite heqje lirie. Seanca ishte maratonë, pasi zgjati 6 orë e 30 minuta.

Nisi me pretencën e Prokurorisë që kishte rrëzuar akuzën për kultivim të lëndëve narkotike dhe atë të përfshirjes në sekuestrimin e 4 ton kanabis në Babice në 2017, të cilat nuk i atribuohen Tahirit, i cili u mbrojt vetë para gjykatës.

Ai kishte renditur argumentet e tij në këtë tabele për çdo provë të prokurorisë, e cila e akuzon për përfshirjen në 4 raste të trafikut të drogës. Por Tahiri tha se që në 2016 kishte qenë Policia e Vlorës që kallëzoi në prokurori Moisi dhe Florian Habilajn për kultivim të kanabisit.

“Këta policë e kanë denoncuar Moisi Habilajn në polici, këta policët e kanë nisur procedimin për të cilin akuzohem dhe unë. Këta janë pjesë e grupit? Ne anëtarët e grupit kemi denoncuar njëri-tjetrin? Është aq i gënjeshtërt ky proces sa nuk i jap dot shpjegim”.

Në seancë nuk munguan as batutat e ish-ministrit, që për pretendimin e prokurorisë se kishte paguar 1 mijë Euro per një natë në hotel, Tahiri nxori një faturë se shpenzimi kishte qenë vetëm 140 Euro dhe duke u shprehur se “nuk është si ministrat e sotëm që paguajnë 900 Euro nata”.

Një tjetër moment debati ishin dhe përgjimet e prokurorisë italiane, ku Habilajt flasin se ai fitonte 5 milionë Euro në një muaj dhe se harxhonte 20 milionë Euro në fushatë elektorale.

“Përgjim ordiner, unë kisha vetëm një muaj në detyrë. Nëse merret seriozisht nga prokuroria, nuk duhej kursyer askush”.

Pretendimit të Prokurorisë për fikjen e radarëve, Saimir Tahiri dha këtë përgjigje: “Në dijeninë time, radarët teknikisht nuk mund të fiken, nuk ka një operator të zakonshëm që t’i fikë. Prokuroria kishte dy vjet kohë të vërtetonte në kuadër të cilësdo organizatë kriminale këta radarë të fiken. Unë e them, jo dhe jo. Nuk ka ndodhur kurrë dhe nuk mund të ndodhë. Sepse radarët nuk i janë lënë në dorë me një çelës një punëtori. Prokuroria e hamendëson”.

Gjykata vendosi të shtyje seancën për leximin e mbrojtjes së Jaeld Çelës më 19 Shtator, ditë kur pritet të lexohet edhe vendimi. Për ish-Drejtorin e Policisë së Vlorës, prokurori kërkoi 8 vite heqje lirie për të njëjta akuza.

Tv Klan

Të ngjashme