Gjykata franceze në Colmar ka vendosur që të shtyjë për 27 prill vendimin në lidhje me rastin Ramush Haradinaj. Ky i fundit është paraqitur të enjten para gjykatës në Colamar, por drejtësia franceze ka kërkuar edhe tri javë tjera afat për t’i shqyrtuar argumentet shtesë të deponuara nga Prokuroria Speciale e Serbisë.

Anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj tha se “

vendimi përfundimtar pritet të merret më 27 prill

”.

Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, Haradinaj para seancës nuk u shpreh shumë optimist se në seancën e sotme mund të ketë ndonjë vendim pozitiv për të.

Është seancë ballafaquese. Prokurori do të paraqes të gjeturat përfundimtare, pse janë përmbushur kriteret për ekstradim në Serbi, ndërsa ne, mbrojtja do të paraqesim argumentet që kjo kërkesë është e pa bazuar, e motivuar politikisht, s’ka bazë ligjore dhe duhet të hidhet poshtë”.

“Teorikisht ekziston mundësia e vendimit, por në bazë të praktikës së deritanishme të vonesave, pra, mund të pritet që vendimi të shtyhet edhe për ditë apo javë

“, tha Haradinaj.

Ish- kryeministri i Kosovës dhe kryetari i partisë politike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, është ndaluar nga policia franceze më 4 janar, në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia përmes Interpolit. Ai akuzohet nga drejtësia e Serbisë për krime lufte.

Nisur nga këto akuza, Prokuroria Speciale e Serbisë, pati paraqitur dhe kërkesën për ekstradimin e Haradinajt në Serbi. Ai ka përsëritur se pafajësia e tij është vërtetuar dy herë me proceset gjyqësore ndaj tij të zhvilluara në Tribunalin e Hagës.

Haradinaj mendon se ndalesa e tij nuk ka të bëjë me asgjë tjetër, por siç thotë ai, ‘krejt kjo çështje është politike’.

Baza e ndalimit tim është krejtësisht politike. Do të thotë aktakuza burimin e ka në vitin 2014, një aktakuzë që është nisur para proceseve gjyqësore që i kam kaluar në Tribunalin e Hagës”.“Në të vërtetë këto gjëra në Francë ndodhin, procesi është gjyqësor, por baza e këtij procesi është krejtësisht politik

“, tha Haradinaj.

Ndërkaq, ekspertë të çështjeve penale, kanë deklaruar se ka ende gjasa që procesi të zvarritet, për shkak se organet kompetente të drejtësisë në Francë, nisur nga gjykatat, duhet të shqyrtojnë qëndrueshmërinë, vlefshmërinë dhe vërtetësinë e provave që Serbia i ka deponuar për këtë rast.

Kuvendi i Kosovës, javë më parë, miratoi një rezolutë me të cilën kërkoi pezullimin e dialogut me Serbinë, deri në lirimin e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj. Vendimi i Kuvendit të Kosovës u përcoll menjëherë me respektim nga Qeveria e vendit./REL