“Tokio 2020”, sërish dilema për ta shtyrë ose jo

Tridhjetë ditë kohe. Kjo është periudha e vënë në dispozicion të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar për të marrë një vendim përfundimtar për fatet e Lojërave Olimpike, Tokio 2020. Në këtë moment anulimi i ngjarjes nuk merret në konsideratë, por gjasat janë që ato të shtyhen.

E gjitha kjo për shkak të refuzimeve të ekipeve kombëtare për të udhëtuar drejt Japonisë në këtë gjendje pandemie, siç është kombëtarja kanadeze. Lojërat Verore janë planifikuar të mbahen nga 24 Korriku deri më 9 Gusht, megjithatë përhapja e shpejtë e koronavirusit ka vënë me shpatulla për muri Komitetin Olimpik, që tashmë ka në tryezë tre hipoteza të mundshme.

Gjasat janë që këto Lojëra të zhvillohen brenda këtij viti, me turneun që mund të mbahet nga 25 Gushti deri më 6 Tetor ose nga 9 deri në 25 Tetor. Nëse situata ndërkombëtare nuk stabilizohet në kohën e dëshiruar, pra deri në javën e fundit të Korrikut dhe urgjenca shëndetësore vazhdon dhe përtej verës, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar i duhet ta shtyjë turneun për vitin e ardhshëm.

Madje, bashkëngjitur me këtë ide është që Lojërat Olimpike të zhvillohen në vitin 2022 për të mos krijuar çrregullime të kalendarit të Lojërave Olimpike ndër vite. Zgjidhje shumë të ndërlikuara, por që për momentin nuk mund të përjashtohen plotësisht.

Klan Plus