Vendimi për Tahirin, çfarë po ndodh në gjykatë?

Vendimi për Tahirin, çfarë po ndodh në gjykatë?

21:31 19/09/2019

Trupi gjykues është tërhequr që prej orës 11:40 minuta për të marrë vendimin për ish-Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.

Por kur ora ka kaluar 21:30, trupa gjykuese vijon të jetë brenda Dhomës së Këshillimit, në ambientet e Gjykatës për Krimet e Rënda.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin “Opinion”, gazetari i Tv Klan, Ermal Vija tha se nga kontakti që kishte pasur me avokatin mbrojtës dhe vetë ish-Ministrin Tahiri, treshja e gjyqtarëve pritet që të shprehet me një vendim të zbardhur, pra të arsyetuar. Kjo, sipas Vijës, mund të jetë dhe një prej arsyeve përse treshja e gjykatësve ka marrë kaq shumë kohë për të dalë në një vendim.

“Janë 3 akuza, ajo e grupit të strukturuar kriminal, veprime në kuadër të këtij grupi dhe jo ajo e korrupsionit të lartë, që ka rënë. Për këto 3 akuza, tre gjyqtarët e çështjes do të zbardhin vendimin, pra do të thonë vendimin e arsyetuar. Kjo është dhe një nga arsyet përse ata janë vonuar aq gjatë për të dhënë një vendim”.

Gjyqtarët që ndodhen aty kanë kontakte me persona të tjerë? Informacionet ishin që janë krejtësisht të izoluar.

“Në momentin që treshja e gjyqtarëve tërhiqet në dhomë këshillimi për të dhënë një vendim, nuk kanë asnjë kontakt me asnjë person”.

Ju thatë që dikush ju ka thënë që po mundohen të arsyetojnë vendimin, nga ka dalë për sa kohë gjyqtarët vetë nuk kanë asnjë komunikim?

“Unë kam arritur të komunikoj qoftë me vetë avokatin mbrojtës Maks Haxhia, i cili më ka komunikuar që një nga arsyet përse po vonon kaq gjatë, mund të jetë që ata të shfaqen me një vendim të zbardhur, ku të argumentojnë për 3 akuzat, cilat qëndrojnë dhe cilat jo”.

Ka një ide të përafërt nëse do të jetë brenda ditës së sotme apo mund të shtyhet vendimi?

“Vendimi duhet të jepet brenda orës 24:00, pra brenda ditës së sotme, pasi vetë gjyqtari Ardit Mustafarai, në kohën kur është tërhequr për të marrë vendimin është shprehur që ky vendim do të jepet pas orës 16:00”./tvklan.al

LAJMET
Të ngjashme
KPT
KPT
UKT