SHBA: Vendimi për Tahirin, shkurajues

SHBA: Vendimi për Tahirin, shkurajues

14:53 20/09/2019

Por tregues i pavarësisë në rritje të gjyqësorit

Ambasada e SHBA në Tiranë e quan shkurajues vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda për ish-Ministrin Saimir Tahiri, që e dënoi atë me 3.4 vjet burg, që do të kryhet me shërbim prove dhe jo në qeli. Megjithatë, në të parin reagim, Ambasada, e cila u investua kaq shumë tek kjo çështje me reagime të herë pas hershme, madje duke çuar edhe përfaqësues të saj në seancat gjyqësore, thotë se vendimi tregoi pavarësinë në rritje të gjyqësorit dhe shënon fillimin e fundit të pandëshkueshmërisë për personat me lidhje të forta.

“Vendimi i djeshëm kundër ish Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri demonstron pavarësinë në rritje të gjyqësorit dhe fillimin e fundit të pandëshkueshmërisë për personat me lidhje të forta. Ndërkohë që dënimi i zotit Tahiri për akuzën e shpërdorimit të detyrës sinjalizon një hap të rëndësishëm përpara, dënimi është shkurajues, duke pasur parasysh se sa të rënda ishin akuzat. Ata që shpërdorojnë besimin publik dhe shkelin ligjin duhet të përballen me pasoja domethënëse. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbeten partnerë të Shqipërisë, në mbështetje të përparimit të mëtejshëm të reformës në drejtësi, transparencës dhe qeverisjes së mirë”.

Më i rezervuar zgjodhi të shfaqet Ambasadori i BE në Tirane. I pyetur nga gazetarët, Luigi Soreca tha se do të ketë një koment vetëm pasi të lexojë dosjen.

“Si një ish prokuror do të shikoj dosjen dhe më pas do i komentoj. Nuk mund të komentoj vendimin pa lexuar dosjen”.

Vetë ish-Ministri Tahiri, i pakënaqur nga vendimi i Gjykatës, deklaroi se do të dilte gjatë kësaj të premteje për të komentuar më qartë, përse sipas tij, vendimi ishte i padrejtë për të. I kontaktuar nga Televizioni Klan, ai tha se ka vendosur të dalë në një konferencë ditën e shtunë, pasi ka marrë më shumë kohë për t’u përgatitur. Ai u shpreh se gjykata kishte vendosur pa asnjë provë.

Tv Klan

LAJMET
Të ngjashme
KPT
KPT
UKT