Pak më shumë se një vit më parë Chiari në Itali do të tronditej nga një vrasje. Arben Kola, baba i dy fëmijëve, humbi jetën pasi u godit me një objekt të mprehtë nga një bashkëkombas i tij.

Në pranga ra Marsel Disha Romelli. Pas arrestimit, 27-vjeçari shqiptar ishte në gjendje shoku, aq sa nuk mbante mend se çfarë kishte bërë. Tashmë 14 muaj pas tragjedisë, gjykata ka vendosur që të nisë procesin gjyqësor ndaj tij. Vendimi vjen pas rezultateve psikologjike.

I riu shqiptar ka rezultuar i aftë për të kuptuar. Gjatë analizave, psikologët vlerësuan se Marsel Disha Romelli vuan nga një çrregullim psikologjik, por kjo nuk mjafton për të ndaluar procesin. Tashmë seanca e parë dëgjimore është vendosur të mbahet më 18 Dhjetor.

Romelli akuzohet për vrasje me dashje. Ngjarja e rëndë ndodhi më 4 Shtator të vitit të shkuar pas një konflikti. Arben Kola u godit në zemër nga një objekt i mprehtë, duke i çarë aortën. Plagët ishin të rënda dhe ai humbi jetën disa orë më vonë në spital.

Autori u gjet disa orë pas ngjarjes në gjendje shoku teksa endej me makinë. Vrasja ndodhi jashtë një bari lojërash fati në Chiari./tvklan.al