Gjatë ditës së diel, persona të panjohur kanë vendosur mbishkrime “Wagner” nëpër veri të Mitrovicës. Për këto mbishkrime janë hapur dy raste në Policinë e Kosovës.

Njëri ka të bëjë me vendosjen e disa mbishkrimeve nëpër mure të objekteve në veri të Mitrovicës dhe tjetri me vendosjen e mbishkrimeve nëpër tabela të komunikacionit në Zveçan.

Këto raste janë hapur për nxitje të urrejtjes dhe përçarjes ndëretnike.

“Mitrovicë Veri 22.01.2023 – NN. Është raportuar se në mure të objekteve nga persona deri më tani të panjohur, janë shkruar mbishkrime me ngjyrë të kuqe ‘WAGNER’. Njësiti policor i hetimeve po merret me rastin, po ashtu është njoftuar edhe prokurori kujdestar. Rasti është duke u hetuar”.

“Zveçan 22/23.01.2023 – NN. Është raportuar se në në tabelat e komunikacionit nga persona deri më tani të panjohur, janë shkruar mbishkrime ‘WAGNER’. Njësiti policor i hetimeve po merret me rastin, po ashtu është njoftuar edhe prokurori kujdestar. Rasti është duke u hetuar”.

Kujtojmë se “Wagner” është një grup ushtarak rus i cili është i përfshirë direkt në agresionin rus në Ukrainë.

Së fundmi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë shpallur “Wagner-in” si grup terrorist./klankosova