Kryeministri Edi Rama vendosi këtë të enjte gurin e parë të themelit të maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”. Rama u shpreh se do të ruhet godina historike dhe do të zgjerohen kapacitetet për nënat dhe fëmijët me super cilësi dhe standarde europiane.

Gjatë fjalës së tij, Rama tha se tërmetet e vitit 2019 përshpejtuan procesin për të nisur projektin e ri për maternitetin.

“Mirëpo njësoj si një sërë godinash të ndërtuara atë kohë edhe godina e këtij materniteti, u sprovua nga dy tërmete në Shtator dhe në Nëntor të 2019-ës dhe faktikisht u bë në një pjesë të veten e papërdorshme. Kjo bëri që projekti i ri i maternitetit, i cili ishte në proces sepse këtu ka nevojë dramatike për më shumë hapësirë për shërbimin të përshpejtohej dhe ashtu siç u bë me të gjithë objektet apo në të gjithë territoret ku tërmeti prodhoi një krizë të jashtëzakonshme për familjet, shërbimet dhe komunitetet u shfrytëzua kjo krizë për të dalë shumë më të fortë prej saj”, tha Rama.

Ai u shpreh se po punohet për të dyfishuar kapacitetet e shtretërve, për të rritur numrin e sallave dhe për t’u dhënë trupës së shërbimit mjekësor një hapësirë me kushte shumë më cilësore. Risi do të jetë ndërtimi i një qendre prematuriteti për herë të parë në Shqipëri.  

“Sot ne jemi në kantier për të dyfishuar kapacitetet e shtretërve, për të rritur numrin e sallave dhe për t’u dhënë mjekëve, infermierëve, trupës së shërbimit një hapësirë me kushte shumë më cilësore. Siç u tha këtu, materniteti do të ketë jo vetëm rritje të kapaciteteve në trefish, por edhe do të ketë një qendre prematuriteti për herë të parë në Shqipëri si një risi në gamën e shërbimeve që jepet për të porsalindurit. Elementët e projektit janë rezultat i analizës së hollësishme të nevojave dhe zgjerimi i godinës aktuale, por edhe rritja e konsiderueshme e nivelit të teknologjisë në këtë maternitet shkojnë së bashku me njëra-tjetrën ashtu sikundër ky projekt dhe projekte të tjera ecin paralelisht me domosdoshmërinë për të rindërtuar sistemin deri në transformimin e tij të plotë në aspektin e motivimit të trupës, vlerësimit të mundit, cilësisë së shërbimit për pacientët dhe patjetër edhe efikasitetit të rritur të shërbimit në sensin e një administrimi shumë më të arsyeshëm të burimeve financiare”, tha Rama./tvklan.al