Lezha ka tani shtatoren e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeut. Ajo është vendosur në lulishten e qytetit dhe qëndron përballë memorialit të tij.

Për autorin e kësaj vepre, përfundimi i saj është me rëndësi dhe e bën që të ndihet i lumtur.

“Vepra i rrin shumë bukur ambientit. Është menduar të rri përballë memorialit që të ketë një komunikim, pra një harmoni me memorialin”, tha skulptori Ardian Pepa.

Edhe për historianët vendosja e kësaj shtatoreje është një ngjarje e rëndësishme për qytetin.

“Gjergj Kastriot Skënderbeu kthehet në shtëpinë e vetë. Pra i zoti i shtëpisë kthehet në shtëpi. Në qytetin e tij të dashur, Lezhën e tij, në të cilën lidhen dy ngjarjet më të rëndësishme të jetës së tij: Besëlidhja e Lezhës dhe vdekja e varrosja këtu, përderisa ka zgjedhur si banesë të fundit”, tha historiani Paulin Zefi.

Synimi i autoriteteve ishte që vepra të vendosej përpara datës 2 Mars kur kujtohet Besëlidhja e Lezhës. Diçka e tillë ishte planifikuar që të bëhej që në vitin 2019, por u shty për shkak të pengesave pasi Ministria e Kulturës nuk dha aprovimin për shkak se vendi i zgjedhur është pjesë e parkut arkeologjik dhe nuk lejohej hedhja e betonit.

Klan News