Buquicchio: Opinioni për ndryshimet në Kod del në Dhjetor

Presidenti i Komisionit të Venecias, Gianni Buquicchio, i ka kthyer përgjigje Presidentit Ilir Meta pas kërkesës së këtij të fundit për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Buquicchio thotë se “Venecia” do të marrë në shqyrtim kërkesën e tij, por nuk ka autorizuar procedurën urgjente. Kjo për shkak të kohës së shkurtër përpara mbledhjes së radhës dhe natyrës komplekse të çështjes.

Megjithatë kërkesa e Metës do të shqyrtohet në seancën plenare në Dhjetor.

“Opinioni do të përgatitet nën një procedurë normale dhe do t’i paraqitet sesionit plenar për adoptim dhe ekzaminim në Dhjetor”, thotë Buquicchio.

Presidenti i “Venecias” thotë se opinioni përfundimtar do të përgatitet sëbashku me ODIHR-in.

Meta iu drejtua para disa ditësh, Komisionit të Venecias me një kërkesë urgjente lidhur me arsyet përse ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë antikushtetuese.

Kjo kërkesë e kreut të shtetit, është bërë temë debati në fushën politike. Vetë Presidenca ka bërë thirrje që të pritet opinioni i “Venecias”, ndërkohë mazhoranca është shprehur se do t’i kalojë sërish ndryshimet për Kodin Zgjedhor në Kuvend, pas rikthimit që i bëri Meta.

Kryeministri Edi Rama është shprehur se mazhoranca nuk do të humbë kohë për Kodin e ri Zgjedhor, ndërsa Metën e ka cilësuar si “një ekstremist kundër Parlamentit dhe qeverisë shqiptare”./tvklan.al