Mbërritja në Tiranë e një delegacioni të Komisionit të Venecias ka rikthyer në Kuvend opozitën, e cila prej 4 muajsh vijon bojkotin e parlamentit.

6 anëtarët e Komisionit kanë zhvilluar takime me përfaqësues të partive politike, për tu njohur me amendimin kushtetues të opozitës për vettingun në politikë, në kuadër të përgatitjes të opinionit nga ky organizëm.

Pas takimit përfaqësuesit e opozitës thanë se i kishin parashtruar përfaqësuesve të delegacionit qëndrimin e Partisë Demokratike, duke e cilësuar vettingun në politikë vija e kuqe për rikthimin e normalitetit dhe vijimin e reformave në vend.

“Nuk duhet të ketë dy standarde, por ai që zbatohet për prokurorët dhe gjyqtarët të aplikohet edhe për politikanët. Ne shpjeguam se asnjë reformë nuk do ketë sukses nëse nuk do të shkëputen lidhjet e politikës me krimin”, tha Edmond Spaho, Nënkryetar i PD-së.

Por mbërritja në Tiranë e të deleguarve të Venecias nuk i ka shuar aspak replikat mes palëve. Socialisti Ulsi Manja ndonëse e cilësoi të frytshme tryezën me  përfaqësuesit e komisionit akuzoi opozitën për mungesë koherence në qëndrimin e saj, duke iu referuar një deklaratë të bërë të dielën nga Lulzim Basha.

“Më bëri çudi se nuk di kujt t’i besoj, asaj që tha Spaho sot, apo asaj që tha Basha nga Berati dje; nuk e di pse vjen Venecia këtu. Opozita vazhdon të jetë inkoherente sa herë bëhet fjalë për Komisionin e Venecias. Ne vazhdojmë të besojmë se Venecia mbetet tabani i demokracisë”, Ulsi Manja, Kryetar i Komisionit të ligjeve, PS.

Pas konsultave që do të zhvillohen në Tiranë, Komisioni i Venecias pritet të dalë me një opinion për nismën kushtetuese të opozitës në datat 14 dhe 15 Dhjetor.

Në 3 Tetor, kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi iu drejtua për opinion këtij organizmi duke i kërkuar të shprehet nëse në nismën e opozitës ka mbivendosje me parashikimet ligjore që rregullojnë funksionimin e Gjykatave të Posaçme, Prokurorisë së Posaçme dhe Njësisë së Posaçme Hetimore, të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit, dhe të institucioneve që merren me procesin e dekriminalizimit. Paralelisht me nismën që ndodhet në tryezën e komisionit të Venecias maxhoranca po vijon konsultat me grupet e interesit.

Tv Klan