Komisioni i Venecias nuk është tërhequr nga qëndrimi i dhënë edhe më herët në opinionin paraprak lidhur me nismën kushtetuese të opozitës për Vettingun në politikë. Në draftin final të miratuar gjatë paradites, “Venecia” konstaton se propozimi kushtetues për verifikimin e politikanëve, edhe pse me synim legjitim, nuk siguron zgjidhje dhe masa mbrojtëse dhe mund të çojë në abuzim me pushtetin, siç thuhet në njoftimin zyrtar të Këshillit të Europës, pjesë e të cilit është komisioni i Venecias.

“Amendamentet kushtetuese për verifikimin e politikanëve në Shqipëri, përfshirë vlerësimin e marrëdhënieve të tyre me krimin e organizuar nuk sigurojnë zgjidhje dhe masa mbrojtëse të përshtatshme për një proces të tillë të ndjeshëm dhe mund të çojnë lehtësisht në abuzim të pushtetit.  Duke pranuar synimin legjitim për të hequr kriminelët dhe ndikimin e tyre te qeverisja dhe jeta politike, Komisioni i Venecias shpreh shqetësimin se mungesa e qartësisë ligjore dhe sigurisë lidhur me fushëveprimin dhe zbatimin e procedurës së propozuar të verifikimit mund të çojë në implikime të rënda për të drejtat e atyre që bëhen subjekt.”

Opinioni vë në dukje se nuk është e qartë se kush do të jetë përgjegjës për procesin apo për sa kohë do të jetë skualifikimi i politikanëve të lidhur me krimin.

“Nuk është e qartë se kush do të jetë përgjegjës për verifikimin dhe nëse kjo do të bëhet nga një organ gjyqësor ose i pavarur. Nuk ka qartësi ligjore nëse skualifikimi duhet të jetë i përhershëm ose i kufizuar dhe nuk ka garanci për të siguruar që procesi të mos përdoret në mënyrë të njëanshme politike ose arbitrare.”

Jo vetëm për mënyrën sesi do të kryhet ky proces, por në opinionin final “Venecia” vëren paqartësi edhe tek çështja e kontakteve të padëshirueshme.

“Projektligji gjithashtu nuk arrin të përcaktojë disa elementë kryesorë, si: çfarë nënkuptohet me kontakt me persona të caktuar; çka nënkuptohet duke u përfshirë në krimin e organizuar; dhe çfarë nënkuptohet duke u përfshirë në rrethin e subjekteve që kanë kontakte me personat.”

Lidhur me zyrtarët e zgjedhur, Komisioni i Venecias gjen se propozimi është në kundërshtim me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kodin e Praktikës së Mirë në Çështjet Zgjedhore, sepse shqyrtimi bazuar në atë nëse dikush ka kontakte me personat e përfshirë në krimin e organizuar mund të përdoret lehtë për kufizimin e të drejtës për zgjedhje të lira, pavarësisht nga natyra e kontakteve. Komisioni vë në diskutim vlerën e shtuar ligjore të amendamenteve.

“Paqartësitë rreth fushëveprimit dhe zbatimit të tij e bëjnë të vështirë garantimin e të drejtave sipas nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Duke pasur parasysh dispozitat ekzistuese kushtetuese, ligjet e tjera dhe me mekanizmat e tjerë demokratikë në dispozicion, Komisioni i Venecias beson se vlera e shtuar ligjore e amendamenteve të propozuara është e diskutueshme.”

Sikundër në opinionin paraprak edhe në atë final “Venecia” ofrohet e gatshme të sigurojë ndihmë të mëtejshme, por i kujton palëve se vendimi për amendimet kushtetuese lidhur me vettingun në politikë duhet të merret në parlament nëpërmjet dialogut midis të gjitha forcave politike dhe shoqërisë në përgjithësi, në interes të demokracisë shqiptare.

Në opinionin përfundimtar për Shqipërinë Komisioni i Venecias përfshiu edhe disa amendamente që gjetën mbështetjen e opozitës, ku saktëson se shtetet kanë të drejtë të kufizojnë mundësinë për t’u zgjedhur. Në varësi të situatës politike, një kufizim për një rrethanë të caktuar, që mund të jetë i nevojshëm për një shtet, mund të mos aplikohet për një tjetër shtet.

Tv Klan