UNESCO i ka bërë thirrje qeverisë italiane që të hartojë plane për të ndaluar ankorimin e anijeve të mëdha

UNESCO ka bërë të ditur se mund ta klasifikojë Venecian në listën e qyteteve të rrezikuara, nëse qeveria nuk ndalon ankorimin e anijeve të mëdha në qendrën historike.

Agjencia e trashëgimisë pjesë e Kombeve të Bashkuara do ta diskutojë çështjen në seancën e saj plenare në 16-31 Korrik. Nëse miratohet, agjencia mund të kërkojë veprim urgjent nga qeveria italiane deri në Shkurtin e ardhshëm.

Në fillim të Qershorit, venecianët protestuan teksa një kroçere u largua nga vendi, një gjë që simbolizoi edhe rifillimin e turizmit të goditur nga pandemia. Dhoma e ulët e Parlamentit italian miratoi një dekret në Prill, por do të duhet një punë e madhe në infrastrukturë për të bërë të mundur ankorimin e anijeve të lundrimit në një tjetër destinacion.

Ndërkohë, mënyra e vetme që anijet të hyjnë në Venecia është përmes kanalit Giudeça, ku në Qershor 2019 një kroçere e MSC u përplas në një skelë dhe me disa anije turistike, duke plagosur pesë persona.

Ministri italian i Kulturës, Dario Franceschini, është shprehur se vendosja e Venecias në listën e qyteteve të rrezikuar do të ishte një problem serioz për Italinë. Nismat e mëparshme për të ndaluar trafikun e anijeve turistike gjithashtu kanë dështuar. 

Klan News