Autoritetet italiane kanë ndaluar hyrjen e anijeve të lundrimit në qendrën historike të Venecias. Ministri i Kulturës tha se vendimi erdhi në përgjigje të një kërkese nga organi kulturor i UNESCO.

Anijet e mëdha tani do të duhet të ankorohen në portin industrial të qytetit derisa të gjendet një zgjidhje e përhershme. Kritikët argumentojnë se anijet shkaktojnë ndotje dhe shkatërrojnë themelet e qytetit, i cili vuan nga përmbytjet e rregullta.

Ministrat italianë ranë dakord që anijet e mëdha të lundrimit dhe konteinerëve nuk do të ishin më në gjendje të hynin në kanalin Giudecca të qytetit, i cili të çon në sheshin historik të Shën Markut.

Anijet e lundrimit aktualisht nuk janë në gjendje të hyjnë në Venecia për shkak të kufizimeve të koronavirusit por mungesa e tyre që nga ajo kohë ka sjellë përmirësimin e cilësisë së ujit në laguna.

Presioni për ndalim të anijeve të mëdha filloi në vitin 2019 pasi një kroçerë u përplas në një port në qytet, duke plagosur pesë persona.

Nismat e mëparshme për të ndaluar trafikun e anijeve turistike gjithashtu kanë dështuar. Në 2013, qeveria ndaloi anijet me peshë më shumë se 96,000 ton nga kanali Giudecca, por legjislacioni u përmbys më vonë. Planet e tjera për të devijuar anijet e lundrimit nga qendra e Venecias u njoftuan në 2017 por kurrë nuk u zbatuan plotësisht.

Klan News