“Venecia”, në Tiranë për “Kushtetuesen”

“Venecia”, në Tiranë për “Kushtetuesen”

15:41 13/02/2020

Ironizon “AntiKÇK” me shprehjen e Ambasadorit Soreca

Ilir Meta i priti me duartrokitje përfaqësuesit e Komisionit të Venecia, që u rikthyen në Tiranë me kërkesë të shumicës, për shkeljen e pretenduar të Kushtetutës nga Presidenti për zgjedhjen e Marsida Xhaferllarit, si anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Ironia vijoi kur u tha se ishte i gatshëm ta ndante zyrën me ta, pasi brenda 6 muajve e kanë vizituar 3 herë Tiranën.

Por përpara se të niste diskutimet me përfaqësuesit e delegacionit, Meta zgjodhi të fliste në shqip me gazetarët për ndryshimin që i bëri parlamenti një ditë më parë procedurës së betimit për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, të parashikuara në ligjin për këtë gjykatë.

“Për çështjen e ligjit e pagëzuar si ‘kryekçk’ do të flas pasdite. U miratua çuditërisht para se Venecia të vinte! Unë e dua shumë Komisionin e Venecias dhe Venecian! Vjet mora edhe ‘Luanin e Venecias’! Unë kurrë nuk do të thirrja Venecian për një çështje kaq të thjeshtë! Për të lexuar thelbin e kësaj çështje, anëtari i parë emërohet nga Presidenti, i dyti nga Kuvendi, i treti nga Gjykata e Lartë! Edhe dy fëmijë të klasës së parë e lexojnë qartë”, është shprehur Presidenti Meta gjatë takimit.

Ironizoi dhe operacionin Forca e Ligjit dhe ekspertët ndërkombëtarë që ndihmuan në hartimin e paketën AntiKÇK, duke përdorur me qesendi shprehjen e ambasadorit të Bashkimit Europian, Luigi Soreca, se AntiKÇK po ndjek paratë e krimit.

“Ne kemi ekspertë të mirë ndërkombëtarë, por ata janë të zënë duke ndjekur paratë. Vendi ka disa probleme shqetësuese me korrupsionin dhe krimin e organizuar! Meqë parlamenti ju bëri pyetjet, isha i detyruar t’ju pyesja edhe unë që ta merrnit të plotë informacionin. E kisha të domosdoshme këtë hyrje pasi më kanë çmendur gazetarët duke më pyetur”.

Delegacioni i Komisionit të Venecias u takuar gjatë paradites dhe me anëtarët e Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit, si dhe Kryeparlamentarin Ruçi. Pasdite, ata kanë parashikuar një takim me Arta Vorpsin, që shumica e konsideron anëtare të Gjykatës Kushtetuese.

Ndërsa paraditen e të premtes, ekspertët e Venecias do të takojnë dhe kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvoranin. Opinionin për këtë çështje dhe për antishpifjen, Venecia pritet ta japë në seancën e radhës, më 20 dhe 21 Mars.  

Tv Klan



Grupi
LAJMET
Të ngjashme

Grupi