Opinioni final i Komisionit të Venecias lidhur me amendamentet e propozuara nga opozita shqiptare për vettingun në politikë, ka përplasur kryeministrin Edi Rama me Kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Njoftimi për media i Komisionit të Venecias njeh qëllimin legjitim të propozimeve të PD-së, të cilat synojnë heqjen e shkelësve të Ligjit apo influencës së tyre nga qeveria dhe jeta politike, por shpreh shqetësim se mungesa e qartësisë ligjore sa i përket implementimit të vettingut të propozuar mund të çojë në komplikime të rënda sa i përket të drejtës së atyre që do të jenë subjekt i këtij procesi.

Rama tha se “Gjojavetingu” i PD u mbyt në ujin e Venecias. “Eh Artist, s’më vjen mirë për ty, po ti s’ve mend! Vate e u mbyt në ujin e Venecias edhe Gjojavetingu yt, një nga ato manovrat e tua në xunkth që e kanë bërë PD aq shumë joserioze në sytë e njerëzve, sa jeni hedhur në ilegalitet për të penguar Dialogun mes studentëve e qeverisë”, shkroi Rama në Twitter.

Kryedemokrati Basha në krahun tjetër iu kundërpërgjigj Ramës duke e quajtur ‘hajdut psikik”, që ka 9 ditë që nuk kupton as shqipen, pale pastaj anglishten.

“Hajduti psiqik ka 9 ditë që nuk kupton as shqipen, pale pastaj anglishten! Mirënjohje Komisionit të Venecias që hapi dritën jeshile për vettingun e politikanëve. Asgjë nuk e shpëton hajdutin psiqik nga lidhjet me krimin! Koha kur politikanët janë mbi ligjin po mbaron!”, tha Basha./tvklan.al