Venecia: Presidenti s’ka të drejtë të anulojë zgjedhjet

Posta

Venecia: Presidenti s’ka të drejtë të anulojë zgjedhjet

13:19 14/10/2019

Anulimi i 30 Qershorit, pa asnjë bazë ligjore

Edhe në opinion e tij përfundimtar, Komisioni i Venecias evidenton faktin se Presidenti i Republikës kur vendosi të nxjerrë dekretin për anulimin e zgjedhjeve të 30 Qershorit nuk ka pasur asnjë bazë ligjore dhe kushtetuese.

Në dokumentin prej 19 faqesh, ekspertët u referohen të gjitha neneve të Kushtetutës, ku përcaktohen kompetencat e kreut të shtetit dhe thonë se protestat e 8 Qershorit dhe informacionet sekrete për djegien e parlamentit nuk përbëjnë raste të cilat mund të çojnë në marrjen e vendimit për shtyrjen e zgjedhjeve, aq më shumë pa një konsensus politik.

“Komisioni arrin në konkluzionin se, në mungesë të një dispozite ligjore për këtë çështje, Presidenti mund të anulojë zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore vetëm kur ka një gjendje lufte, gjendje të jashtëzakonshme ose katastrofë natyrore, por dhe në këto raste masat e jashtëzakonshme duhet të bazohen në ligj. Edhe atëherë Presidentit i duhet një vendim specifik – ad hoc -që është baza ligjore për të shtyrë zgjedhjet. Anulimi i zgjedhjeve është i mundur vetëm në situata që plotësojnë kërkesën për shpalljen e një emergjence.  Sidoqoftë, rregullat e zbatueshme kushtetuese për situata emergjente nuk ishin shpallur në këtë rast. As nuk kishte një konsensus politik, i cili do të lejonte këtë krijimin e një baze ligjore ad hoc”.  

Edhe në opinionin final, Komisioni i Venecias evidenton se bojkoti i zgjedhjeve nga një ose disa parti, nuk përbën argument ligjor dhe kushtetues për të mos lejuar të tjerët të zgjidhen apo zgjedhin.

“Anulimi i zgjedhjeve ndikon gjithashtu në të drejtat elektorale të njohura nga të drejtat ndërkombëtare të njeriut. Bojkoti elektoral nga partitë politike, edhe nëse ato përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të elektorati, nuk mund të parandalojë zgjedhjet e rregullta. Përndryshe, këto parti do të marrë leva për të parandaluar plotësisht çdo zgjedhje”.

Gjithsesi, edhe pse thotë se Presidenti nuk i mbështeti në ligji, Komisioni i Venecias nuk i vlerëson veprimet e tij si shkelje serioze që mund të çonin në shkarkimin e tij. Theksohet edhe njëherë se është Kuvendi dhe Gjykata Kushtetuese që duhet të vendosin për të.

“Do të jetë për Kuvendin dhe në fund të Gjykatës Kushtetuese që do të përcaktojnë nëse shtyrja e zgjedhjeve lokale përbën një shkelje të Kushtetutës dhe nëse kjo shkelje është e një karakteri serioz, i cili do të lejonte një fajësim të Presidentit”.

Ekspertët e Venecias shprehen të gatshëm që të japin opinionin e tyre për autoritetet shqiptare për t’i ardhur në ndihmë për këtë çështje.

Tv Klan


Reklama
Grupi
LAJMET

Të ngjashme

Reklama
UKT
Grupi
UKT