“Duhet të përbëhet nga individë të kualifikuar në media”

Ligji për antishpifjen cilësohet i pazbatueshëm dhe me efekte frenuese për fjalën e lirë në Shqipëri, sipas Komisionit të Venecias që publikoi raportin përfundimtar prej 66 faqesh.

Në opinionin përfundimtar citohet se ky ligj i jep Autoritetit të Medias Audiovizive fuqi të mëdha administrative për median “online”, dhe për pasojë kërkohet të rishikohet formula e përzgjedhjes së AMA-s dhe Komitetit të Ankesave.

“Do të jetë i dobishëm rishikimi i metodës së zgjedhjes së anëtarëve të AMA-s dhe këshillit mbikqyrës, në mënyrë që të garantohet një përbërje e shumëfishtë, të jenë të përbëra nga persona të kualifikuar, të përfaqësojnë komunitetin e medias dhe të kenë autonomi të besueshme nga kontrolli i qeverisë dhe i sipërmarrjeve. Komisioni i Venecias, teksa vlerëson se një reformim gjithëpërfshirës i AMA-s që shton pavarësinë dhe profesionalizmin e saj mund të jetë një përpjekje politikisht sfiduese, është kundër zgjerimit të mandatit të AMA-s në fushën e medias online pa forcimin përkatës të pavarësisë dhe profesionalizmit”.

Në listën e argumenteve, Komisioni i Venecias adreson kritika edhe për gjobat që parashikohen kundrejt mediave “online”, në rast të shkeljes së ligjit. Gjobat sipas ligjit që ka propozuar qeveria shqiptare variojnë nga 100-800 mijë Lekë.

“Siç u nënvizua nga Komisioni i Venecias, rreziku i dukshëm i zbatimit të sanksioneve të rënda mund të ketë një efekt të frikshëm mbi gazetarët dhe mediat. Niveli mesatar i pagave në Shqipëri është modest, në krahasim me standardet europiane.

Në të tilla rrethana, ka gjasa që gjobat e rënda, siç parashikohet në Nenin 133 do të kapërcenin kapacitetin e shumë mediave më të vogla dhe do të çonin në mbylljen përfundimtare të aktivitetit të tyre.

Gjobat jashtëzakonisht të larta përbëjnë kërcënim me pasojë aq të frikshme sa burgosja dhe mund të shihet si një mënyrë e tërthortë për të ushtruar presion ndaj mediave”.

Komisioni i Venecias, bën me dije se sanksionet apo penalitetet e rënda ndaj mediave nuk duhet të ekzekutohen menjëherë. Gjykatat duhet të kenë tagrin kontrollues për të garantuar një gjykim të drejtë.

Në përfundim të arsyetimeve të listuara për shpifjen, Komisioni i Venecias inkurajon autoritetet shqiptare të mbështesin ngritjen e një organi vetërregullues që të përfshijë të gjithë aktorët në fushën e mediave.

Ky opinion vjen në një kohë kur Kuvendi ka listuar kandidaturat për kreun dhe anëtarët e AMA-s dhe rekomandimi mund të çojë në pezullimin e procedurave dhe formatimin e AMA-s siç e kërkon Venecia.

Tv Klan