Shumë e neveritshme. Dhe shumë e rrezikshme. Ajo që po luhet tani në kufijtë e jashtëm të Venezuelës, nuk ka të bëjë me përgatitjen e një aksioni humanitar ndihme, mendon Astrid Prange de Oliveira.

Për të mos lejuar keqkuptimet duhet thënë se populli i Venezuelës ka nevojë për ndihmë humanitare. Gjithnjë e më shumë njerëz luftojnë vetëm që të mbijetojnë, furnizimi i vendit me ushqime dhe medikamente është ndërprerë.

Aq më shkatërrimtare është që presidenti i vetëemëruar Juan Gauidó dhe përkrahësit e tij. e përdorin ndihmën humanitare si instrument për të treguar forcën. Skenat e krijuara duke u futur mes kutive të ushqimit për fëmjë, sjellin imazhe efektive për Guaidó-n, por pak besueshmëri politike.

Mbulesë për dështimet politike

Edhe më pak i besueshëm është pushtetmbajtësi venezuelian, Nicolas Maduro. Pasardhësi i presidentit të shtetit që ndërroi jetë më 2013, Hugo Chavezit, e çoi vendin në varfëri të madhe. Ai arrestoi kundërshtarët politikë, shfuqizoi parlamentin në të cilin ka shumicën që prej vitit 2015 dhe e la popullin në mëshirë të fatit.

Ndihmat humanitare i shërbejnë tani të dy palëve për të mbuluar dështimet politike. Sepse që prej vitit 2015, SHBA ka vendosur sanksione kundër regjimit të Maduros, megjithatë ato nuk kanë sjellë “suksesin” e dëshiruar, shpërbërjen e “socializmit të shekullit të 21”.

Shpëtim në krahët e Moskës

SHBA kanë përshpejtuar rrënimin e Venezuelës dhe kanë bërë që pushtetmbajtësi Maduro të shkojë gjithnjë në krahët e Moskës dhe Pekinit. Ndërkohë që Maduro pretendoi javën e kaluar se në Venezuelë nuk ekziston uria, këtë javë njoftoi se pret më 23 shkurt në Cúcuta ardhjen e 300 tonëve ndihma nga Rusia.

Rusia është aktualisht aleati më i rëndësishëm i Venezuelës. Që në kohën e Chavezit, Kremlini ka pas furnizuar me armë ushtrinë venezuelase. Po ashtu Karakasi ka marrë nga Moska 12 miliardë dollarë, për garantimin e të cilave Venezuela la peng tek SHBA gjysmën e aksioneve të stacioneve Citgo të benzinës, që i përkasin koncernit venezuelian të naftës, PdVSA.

Kështu që Moska ka dy triumfe në dorë kundër presidentit Trump. Nëpërmjet rrjetit të stacioneve të benzinës Citgo, Moska ka ndikim në furnizimin me karburante të SHBA. Dhe po ashtu është prezente në Venezuelë, si lojtare e rëndësishme në Amerikën Latine, krah Kinës dhe SHBA.

Bllokadë në Këshillin e Sigurimit

Shembulli më i ri është vetoja e Rusisë në Këshillin e Sigurimit të OKB javën e kaluar. Kërkesave të rezolutës të përgatitur nga Uashingtoni për zgjedhje të reja dhe ndihma ndërkombëtare për Venezuelën, Moska iu përgjegj me një kundër-rezolutë.

Situata e bllokuar tregon për kthimin në Luftën e Ftohtë. Që kjo ka rrezik të shpërthejë tani në Amerikën Latine është tragjike. Në fund të fundit konfrontimi zyrtar midis SHBA dhe Rusisë është kapërcyer që me normalizimin e marrëdhënieve midis SHBA dhe Kubës, në fund të 2014.

Nëse do të bëhej vërtet fjalë për të ndihmuar popullsinë e Venezuelës, atëherë organizata pjesë të OKB, si për shembull World Food Program (WFP), mund të fuste ndihmat në vend, në rast nevoje edhe me një mandat të Këshillit të Sigurimit të OKB. Organizata ndihme amerikane dhe ruse, si dhe ndihmës nga e gjithë bota mund t’i vinin ndihmat e tyre në dispozicion të OKB, në vend që të nxisnin përçarjen edhe më të madhe të vendit.

Dhe më e rëndësishmja, qeveria e Venezuelës mund të kërkonte ndihmë nga komuniteti ndërkombëtar. Ushqimet mund të futen në rast nevoje në vend edhe nga vullnetarë që futen në këmbë në pikat e tjera të kufirit përveç Cúcutës, pa qenë nevoja për vëmendjen mediale. Instrumentalizimi i tanishëm politik i ndihmave humanitare nuk është një gjë humanitare. Kjo gjë ka marrë peng një popull të tërë, duke i kthyer ndihmësit humanitarë në bashkëpunëtorë të luftërave për pushtet. Ky është krim./DW