Prej 5 ditësh Venezuelë është në terr. Sistemi i prodhimit të energjisë elektrike është në kolaps dhe 22 nga 23 shtetet federale, nuk furnizohen me energji. Për liderin majtist, Nikolas Maduro, faji është i një komploti të Shteteve të Bashkuara që kanë goditur me valë magnetike impiantet e prodhimit të energjisë.

Në një treg të Karakasit janë xhiruar disa pamje në mes të ditës, por brenda nuk duket asgjë për shkak të mungesës së energjisë. Ushqimet që shiten janë të pakta dhe në shumicën e rasteve jepen me listë.

“Pranojmë edhe dollarë, sepse shumë njerëz vijnë me dollarë ose euro. Ka shumë njerëz që marrin ushqimet dhe vijnë paguajnë një ditë tjetër. Por edhe nëse nuk vijnë, nuk kemi çfarë bëjmë”,

 thotë një shitëse.

Errësirën po e shfrytëzojnë grabitësit, të cilët kanë nisur të thyejnë portat e marketeve, për të shuar urinë me ato pak ushqime që gjejnë. Energjia elektrike ka vështirësuar jashtë mase edhe furnizimin me ujë të pijshëm, por edhe shitjen e naftës për shkak të mosfunksionimit të pompave, ndërsa ka prekur edhe sistemin bankar. E rëndë gjendja edhe në spitale ku rrezikohet vdekja e mijëra pacientëve.

Presidenti i përkohshëm i njohur nga perëndimi Huan Guaido shpalli gjendjen e emergjencës. Megjithatë ndihmat humanitare janë të bllokuar me urdhër të Maduros. Çdo ditë mijëra venezuelianë përballen me ushtrinë në përpjekje për të kaluar kufirin për të marrë ndihmat amerikane.

Tv Klan