Zona përreth bazës ushtarake ajrore “La Carlota” në verilindje të Karakasit është fushëbeteja e parë e përplasjes që nisi këtë të martë në Venezuelë mes forcave që iu bashkuan opozitës pro-perëndimore dhe ushtarëve besnikë të presidentit majtist Nikolas Maduro.

Mijëra përkrahës të presidentit të përkohshëm të njohur nga perëndimi, Huan Guaido dhe ushtarë të armatosur mbështetës të tij u përpoqën të pushtonin aeroportin ushtarak. Por forcat e rreshtuara në krah të Maduros u kundërpërgjigjën me të shtëna në ajër dhe gaz lotsjellës për t’i shpërndarë.

Përleshje pati në disa zona të kryeqytetit, por deri tani nuk flitet për të lënduar. Guaido i drejtonte nga terreni përkrahësit e tij. Ushtarët që e mbështesin liruan njërin nga liderët e burgosur të opozitës, Leopoldo Lopez, të arrestuar në trazirat e 2014-s kur Maduro u zgjodh president. Aksioni i opozitës për të marrë nën kontroll shtetin nisi pasi në orët e para të mëngjesit, Guaido publikoi një video ku i bënte thirrje ushtrisë të dezertonte dhe të bashkohej me opozitën për të rrëzuar Maduron.

“Popull i Venezuelës, të dalim në rrugë për t’i dhënë fund uzurpimit. Forcat kombëtare të armatosura kanë marrë vendimin e drejtë. Ata kanë mbështetjen  e popullit dhe Kushtetutës. Ata kanë marrë anën e drejtë dhe të sigurtë të historisë”.

Edhe Maduro u bëri thirrje me Twitter, Ushtrisë dhe mbështetësve të tij të mobilizoheshin për të mbrojtur vendin. Thirrjes iu përgjigjën mijëra banorë të Karakasit që rrethuan për ta mbrojtur pallatin presidencial.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se presidenti Trump po e ndjek nga afër situatën. Mbështetjen për opozitën e shprehën përmes Twitter-it, sekretari amerikan i shtetit Mike Pompeo dhe këshilltari i Trump-it për sigurinë John Bolton, të cilët thanë se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë përkrah popullit të Venezuelës.

Tv Klan