Shteti venezuelian ka pranuar bisedimet me Shtetet e Bashkuara. Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, ka konfirmuar se disa zyrtarë kanë zhvilluar bisedime me pjesëtarë të Shtëpisë së Bardhë, pas raportimeve se zëvendësi i tij ka negociuar me Amerikën për largimin e tij nga pushteti. Maduro ka pranuar se për disa muaj me radhë ka qenë në kontakt me zyrtarë të lartë të qeverisë së Donald Trump.

Ishin lajmet në mediat amerikane, se njëri nga njerëzit më të fuqishëm të Venezuelës, Diosdado Cabello, ka qenë në komunikim të fshehtë me zyrtarët e Presidentit amerikan, ato që e bënë Maduron të flasë më shumë për këtë çështje.

Maduro është duke luftuar për të mbetur në pushtet që nga Janari i këtij viti, që kur lideri i opozitës e shpalli veten President legjitim të Venezuelës dhe siguroi mbështetje nga 50 shtete, duke përfshirë SHBA-në dhe Britaninë e Madhe. Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara janë një nga shtetet që nuk e njohin Maduron si lider legjitim të Venezuelës.

Klan Plus