Vogëlushët mbledhin ndihma për të prekurit nga tërmeti

Fëmijët janë e ardhmja, ajo drita në fund të tunelit… dhe në kohë të tilla si kjo që po kalon vendi ynë, një xhest i ardhur pikërisht nga të vegjlit është më shumë se domethënës, është një mesazh shprese për një të ardhme më të mirë.

I tillë mund të konsiderohet veprimi i një grupi vogëlushësh nga Lagja e Re e Saukut, të cilët prej ditësh ishin organizuar për të mbledhur ndihma për të prekurit nga tërmeti.

Këto ndihma, ata i dorëzuan te Komuniteti Mysliman. Këtë nismë prekëse e bëri të ditur pikërisht Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, në një postim në rrjetet sociale.

“Kjo është e ardhmja! Një grup vogëlushësh nga Lagja e Re e Saukut në Tiranë, prej ditësh ishin organizuar për të mbledhur ndihma për të prekurit nga tërmeti dhe sot i dorëzuan me anë të njërit prej shokëve në ambientet e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Nuk ka rëndësi vlera, shuma apo se çfarë mblodhën, por gjesti i pastër prej fëmije që ato kanë kryer dhe shpresa që përcjellin për një të ardhme më të mirë. Këto veprime të mbushin zemrën me lumturi! Faleminderit vogëlush!”, thuhet në postimin e KMSH. /tvklan.al