Ndeshja mes Serbisë dhe Zvicrës, që përfundoi me eliminimin e serbëve nga Botërori 2022, nuk kaloi pa tensione, sidomos mes shqiptarit Granit Xhaka dhe futbollistëve serbë.

Në pjesën e dytë, në minutën 65’ u shënua dhe incidenti i parë, pas një faulli të dhënë nga arbitri ku i përfshirë ishte Granit Xhaka dhe futbollisti serb Aleksandar Mitroviç, i cili u rrëzua gjatë dyluftimit.

Në këtë moment kanë qenë lojtarët e stolit rezervë të Serbisë që kanë provokuar me fjalë fyese dhe ofenduese Xhakën. Ky i fundit iu përgjigj thirrjeve nga futbollistët serbë të stolit.

Veprimi tensionoi akoma më shumë situatën, duke bërë që lojtarët e stolit rezervë të Serbisë të hynin në fushë e njëri prej tyre, Predrag Rajkoviç, të ndëshkohej nga arbitri me karton të verdhë.

Edhe në minutat e fundit të ndeshjes pati një tjetër incident. Serbi Milinkoviç u përplas me Xhakën pas një dyluftimi në zonën serbe, gjë që shkaktoi një tjetër incident mes shqiptarit të Zvicrës dhe 5 futbollistëve serbë. Të dy u ndëshkuan me karton të verdhë.

Ndeshja mes Serbisë dhe Zvicrës u mbyll me rezultatin 2 me 3 për helvetikët, duke i nxjerrë serbët jashtë Botërorit. Goli i parë i ndeshjes në portën e Serbisë u shënua nga shqiptari tjetër i Zvicrës, Xherdan Shaqiri. /tvklan.al