Vera e 2021, pa turistë të huaj



Vera e 2021, pa turistë të huaj

20:20 28/02/2021

Shumë shtete do të kërkojnë një pasaportë vaksinimi për të gjithë udhëtarët

Vera e këtij viti me shumë gjasë do të sjellë shumë humbje për një pjesë të madhe të vendeve europiane. Variantet e reja të Covid 19 si dhe rritja e të infektuarëve nga koronavirusi do të sjelli gjithnjë e më pak turistë.

Italia është një nga vendet më të goditura ku turizmi fillon që në muajin Prill për festën e Pashkëve. Nëse fluturimet mbeten të pezulluara kjo do t’i sjellë humbje deri në 12 miliardë euro për sistemin kombëtar të turizmit. Kjo është ajo që del nga analiza e Coldiretti mbi rëndësinë e certifikatës evropiane të vaksinimit për verën.

Italia është ende shumë e varur nga turistët e huaj për fluksin e turistëve, me 23.3 milion udhëtarë të huaj që verën e kaluar u desh të hiqnin dorë. Për një pjesë të madhe të vendeve europiane sezoni veror hapet në datën 17 Maj, por këtë herë kjo duket edhe më e largët. Shumë shtete mund t’i mbajnë të mbyllura kufinjtë edhe gjatë verës për shkak të virusit.

Ata që lejohen të udhëtojnë për arsye thelbësore, tani në shumicën e rasteve u kërkohet të bëjnë një test PCR më pak se 72 orë para se të arrijnë në destinacionin e tyre, plus një test të shpejtë më pak se katër orë para se ata largohen nga aeroporti, dhe një provë tjetër gjatë rrugës për në shtëpi. Një familje prej katër personash mund të përballet me një faturë testimi pothuajse aq të madhe sa kostoja e prenotimit të pushimeve. 

 Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror IATA, e cila përfaqëson pothuajse 300 linja ajrore, ka promovuar sistemin e saj të bazuar në aplikacionin Travel Pass. IATA Travel Pass do të lejojë njerëzit të ruajnë dhe menaxhojnë të dhëna në lidhje me testet Covid dhe vaksinat që kanë bërë.

Ajo do të përfshijë rezultatet e laboratorit dhe qendrës së testimit që dërgohen në mënyrë të sigurt te telefoni i pasagjerit. Aplikacioni do të kontrollojë nëse kjo i plotëson kërkesat e destinacionit të tyre dhe u jep një dritë jeshile për të udhëtuar jashtë shtetit të tyre.

Air New Zealand, Etihad Airwys dhe Singapore Airlines, kanë bërë të ditur se do të aplikojnë sistemin Travel Pass në fund të Marsit. Travel Pass do të jetë falas për pasagjerët për të shkarkuar dhe përdorur dhe nuk do të ruajë asnjë të dhënë personale. Këtë javë Greqia bëri të ditur se është në bisedime me Britaninë për të lejuar shtetasit që mbajnë një pasaportë vaksine të udhëtojnë në pikat e saj turistike nga Maji.

Klan News







Të ngjashme