Emisioni “Opinion” u fokusua sonte në traditën dhe lulëzimin e prodhimit të verës në Shqipëri. Për të diskutuar për këtë temë ishin të ftuar në studio tetë specialistë dhe prodhues të verës, Shaqir Vukaj, Genci Uka, Petraq Sotiri, Muharrem Çobo, Servet Feka, Frank Kaçori, Gjergj Bojaxhi dhe Dritan Pashako.

Vera është një pije alkoolike, e përftuar nga fermentimi i lëngut të rrushit dhe frutave të tjera. Gjatë fermentimit të rrushit të shtrydhur, mikroorganizmat konsumojnë sheqerin, i cili gjendet në fruta dhe e shndërrojnë atë në alkool. Sipas varienteve të ndryshme të rrushit, prodhohen edhe lloje të ndryshme të verës.

Vera ka një histori të gjatë dhe të pasur, duke filluar që nga viti 6000 p.e.r. dhe mendohet se e ka origjinën diku në kufijtë e Gjerogjisë dhe Iranit. Vera mendohet të jetë sjellë në Europë rreth vitit 4500 p.e.r. dhe ka qenë e zakonshme te grekët e lashtë, thrakët dhe romanët.

Vendi ynë, si vend tipik mesdhetar, i ka të gjitha kushtet për kultivimin e hardhisë dhe siç rezulton nga zbulimet akeologjike, Shqipëria ka qenë një nga vatrat më të lashta të kultivimit. Vreshtaria, sidomos gjatë pushtimit prej 5 shekujsh nga perandoria turke, u përqëndrua në vendet katolike ose ortodokse të vendit, si Korçë, Pogradec, Përmet, Leskovik, Vlorë dhe Shkodër.

Feja myslimane e shekullit të 16-të ndalonte prodhimin e verës. Periudha midis dy luftërave Botërore, në vitet 1920-1945, e gjen vendin tonë me një degradim progresiv të vreshtarisë. Veç kësaj kohe, përveç faktorëve socialë dhe ekonomikë, u shkaktuan dëmtime të vreshtarisë shqiptare edhe nga përhapja e sëmundjeve.

Në përgjithësi, periudha e viteve 1960-1975 llogaritet si më e vështira për vreshtarinë tonë, si për nga rritja progresive e sipërfaqeve, ashtu edhe nga e prodhimit. Në vitin 1980 sipërfaqja e vreshtave arriti në 16 mijë hektarë.

Por cili është raporti që shqiptarët kanë me verën? Si është krijuar ai? A mund të flasim për një kulturë të mirëfilltë të kultivimit të saj?

Pas viteve ’90 dhe fillimit të lëvizjes së shqiptarëve jashtë vendit, kontaktet me verën u dukën se po shpejtoheshin. Ndikim jo të vogël patën edhe sipërmarrësit, të cilët hapën kantinat e tyre të prodhimit të verës. Shtëpitë e verës patën një zhvillim të madh. Ato aktualisht frekuentohen nga shumë njerëz. Por se cili do të jetë raporti që shqiptarët do të ruajnë me verën në të ardhmen, mbetet për t’u parë./tvklan.al