Goli i Theo ndaj Atalantes zgjidhet më i bukuri i sezonit

Nuk ka të ndalur festa te Milani. Fitimi i Skudetos pas shumë vitesh mungesë ka rikthyer entuziasmin te skuadra kuqezi. Me 69 gola të shënuar, skuadra e Piolit nuk kishte sulmin më të mirë, por në mesin e tyre është goli më i bukur i sezonit. Pikërisht ky i shënuar ndaj Atalantës nga mbrojtësi Theo Hernandez.

Francezi vrapoi me topin në këmbë për mbi 95 metra, duke dribluar këdo që i dilte para.
Një kryevepër e shpejtësisë, fuqisë dhe teknikës që mahniti 75,000 tifozët e pranishëm në shkallët e stadiumit ‘San Siro’, por dhe më tepër. Ka nga ata që e krahasuan me një gol të Schevchenko dhe madje edhe me Maradonën.

Por përveç bukurisë, ai gol ishte shumë i rëndësishëm, sepse u shënua në javën e parafundit dhe krijoi distanca të konsiderueshme pikësh me kushërinjtë e tyre, Interin. Për Hernandez ajo ndaj Atalantës ishte një ndër sfidat e tij më të mira këtë sezon, duke fituar simpatinë e tifozëve të Milanit dhe jo më kot, drejtuesit i kanë ofruar kontratë deri në 2026, si një shenjë falenderimi jo vetëm për golat vendimtar të shënuar, por edhe për rritjen cilësore në skuadër dhe repartin e avancuar të skuadrës nga Milano.

Klan News