Me një valë të nxehti të pazakontë po përballet e gjithë Europa veriore. Thatësira ka përfshirë vende si Britania, Suedia, Letonia e Gjermania, të cilat po përjetojnë temperatura ekstremisht të larta.

Për britanikët kjo është vera më përvëluese e viteve të fundit dhe me më pak reshje se zakonisht. Thatësira e tejzgjatur ka provokuar zjarre të mëdha dhe po ashtu dëme në të mbjellat e fermerëve. 800 hektarë pyjë janë shkrumbuar që prej fillimit të muajit në Saksoninë jugore.

Prodhuesit e grurit në Brandenburg kanë dhënë alarmin se prodhimi i këtij sezoni do të reduktohet me 20 deri në 50 për qind.  Pjesa lindore e Gjermanisë veriore vuan prej disa javësh mungesën e reshjeve.

Vala e të nxehtit ka rritur fluksin e  pacientëve në spitale, veçanërisht të të moshuarve që kanë shfaqur komplikacione nga dehidratimi. Temperaturat në këtë vend kanë prekur 34 gradë dhe pritet të jenë në nivele të larta edhe në ditët në vijim.

Në Poloni rreth 91 mijë ferma janë prekur nga thatësira, ndërsa në perëndim të vendit vijojnë zjarret e rëna që prej të mërkurës. Temperatura rekord janë regjistruar edhe në  Danimarkë, Norvegji dhe Finlandë.

Tv Klan