KQZ kërkon hetim të thelluar për 12 kandidatë për deputetë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë publikë emrat e kandidatëve për deputet për të cilët do të bëjë verifikim të thelluar. Në listën e publikuar nga KQZ bën pjesë dhe Tom Doshi i PSD, për të cilin KQZ nuk do të mjaftohet vetëm me dokumentacionin e dorëzuar në institucionin zgjedhor.

Përveç Doshit, KQZ do bëjë verifikim dhe për një tjetër kandidat të PSD, Kleo Murataj.

Nga radhët e Partisë Demokratike janë 4 kandidatë Agron Kapllanaj, Gentjan Muca, Rezart Tusha dhe  Zef Hila. Për dy emrat e fundit është kërkuar edhe nga PS për të bërë një verifikim më të thelluar, me pretendimin se janë persona në hetim dhe se në formularin e dekriminalizimit nuk e kanë deklaruar. Tusha është shkarkuar në vitin 2013 nga posti i drejtorit të Burgut të Rrogozhinës ndërsa Zef Hila kandidat në Shkodër për PD është shkarkuar si kryebashkiak i Vaut të Dejës pas djegies së KZAZ-së në Bushat.

Dyshime për të shkuarën e tyre KQZ, ka dhe për tre kandidatë të PS Artan Bitrin, i 10-ti i PS-së në Durrës, ka deklaruar emrin e mëparshëm Ergi Bitri. I dëbuar nga Napoli në Itali, ku ka marrë eskpuls 2002-2012. Po ashtu verifikim kerkohet edhe për kandidatin Halim Dauti, i treti në listën e Partisë Socialiste në qarkun e Kukësit. Për këtë person rezulton se është dëbuar nga Anglia në vitin 2013, për arsye emigracioni. Në listën e KQZ përfshihet dhe Leonard Beqiri.

Nga radhët e LSI është kërkuar hetim vetëm për një kandidat, për Arbër Arifaj.

Nuk i ka shpëtuar lupës së KQZ-së, as koalicioni ABEOK me Kujtim Gjuzin, Zef Shtjefnin, Selami Jenisheri dhe Partia Emigracioni Shqiptar, me kryetar Kostaq Papa. Në radhët e këtij koalicioni, janë 2 emra për të cilët kërkon më shumë të dhëna mbi pastërtinë e figurës së këtyre kandidatëve. Më konkretisht, Altin Gjeloshaj dhe Elsa Voka.

Klan News