Dërguan dosjen e Bashës në gjykatë pa firmën e kolegut të tyre

Dosja hetimore në ngarkim të Lulzim Bashës dhe dy zyrtarëve të lartë të PD-së do t’i nënshtrohet një verifikimi të hollësishëm nga Prokuroria e Tiranës.

Drejtuese e Prokurorisë së Tiranës Elisabeta Imeraj konfirmoi për Tv Klan se do të verifikohen procedurat e ndjekur nga dy prokuroret Gjergji Tako dhe Ervin Karanxha, që e kanë mbyllur dosjen pa miratimin e kolegut të tyre Kol Hysenaj.

“Më duhet të dal në punë ditën e hënë për të kuptuar se çfarë ka ndodhur. Dy prokurorë nuk mundet të përjashtojnë të tretin, aq më keq të mos e venë në dijeni. Për të gjitha këto veprime, prokurorët duhet ti argumentojnë me shkrim. Gjithçka do të verifikohet dhe do të dalim në një përfundim”, shprehet Imeraj.

Tv Klan mëson se prokurori Kol Hysenaj nuk ka qenë dakord me mbylljen e hetimeve dhe ka kërkuar shtyrjen e tyre, deri në marrjen në pyetje të shtetasit amerikan, Nik Muzin, i cili dyshohet se ka marre 650 mijë dollarë nga kompania me lidhje ruse, Biniata Trade, për llogari të Partisë Demokratike, për të lobuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pa dëshminë e Muzin, i konsideruar si person kyç në këtë çështje, hetimi është konsideruar i paplotë nga prokurori Hysenaj.

Nik Muzin pritet të merret në pyetje në Shtetet e Bashkuara për llogari të hetimit. Autoritetet amerikane u kanë kërkuar prokurorëve shqiptarë që të bëjnë të qartë nëse statusi Muzin është si dëshmitar apo objekt i mundshëm i hetimit dhe nëse ai ka apo jo të drejtë të refuzojë të dëshmojë sipas ligjit shqiptar.

Kryeprokurorja e Tiranës, Elisabeta Imeraj deklaroi një ditë më parë se prokurorët Tako e Karanxha kanë vendosur apriori dhe kanë marrë iniciativë të vetëshpallen prokurorë të çështjes, duke përjashtuar prokurorin Hysenaj.

Ajo tha se dosja nuk është dërguar ende në gjykatë dhe madje nuk është qepur ende. Tv Klan mëson se dosja gjendet në zyrën e protokollit të Prokurorisë së Tiranës, me kërkesën e Takos e Karanxhës për ta dërguar në Gjykatë.

Këta të fundit e dërguan Lulzim Bashën, Arben Ristanin dhe Ilir Dervishin në gjykatë nën akuzën për falsifikim të dokumenteve zyrtare dhe rrëzuan akuzën për pastrim parash.

Fati i dosjes mbetet i paqartë, pasi nuk dihet nëse Prokuroria e Tiranës mund ta bllokojë atë nëse do të konstatojë shkelje, apo do ta dërgojë në gjykatë dhe do të jetë gjykata ajo që do të vlerësojë nëse dosja ka nevojë për veprime të tjera hetimore apo të nisë gjykimi.

Tv Klan