ARRSH: Akset kombëtare janë të hapura

“Pikërisht kur menduam se palltot e ngrohta dhe dorezat ishin te panevojshme këtë dimër, temperaturat u ulën në minus. Kryeqyteti u zgjua sot në -3 gradë Celsius dhe për meteorologët kjo është edhe dita më e ftohtë e janarit”

Të mbuluar e veshur trashë për të sfiduar temperaturat e ftohta, kryeqytetasit dukeshin në kërkim të rrezeve të diellit. Në veri dhe juglindje të vendit, reshjet e dëborës u ndërprenë, por temperaturat mjaft të ulëta gjatë natës së kaluar krijuan ngrica nëpër rrugë. Në Peshkopi bulevardi kryesor është mbuluar nga akulli duke vështirësuar qarkullimin.

Në qytetet si Bajram Curri, Pukë, Peshkopi dhe Bulqizë temperaturat u ulën deri në -13 gradë Celsius. Ndërsa në Qarkun e Korçës termometri shënoi minus 11 gradë Celsius.

Gjendja e rrugëve kombëtare raportohet e mirë dhe të gjitha akset janë të hapura. Vetëm në pjesë të caktuara të rrugëve drejt Boboshticës dhe Dardhës nevojiten zinxhirë.

Autoriteti Rrugor Shqiptar kërkon nga drejtuesit të ulin shpejtësinë dhe të tregohen të kujdesshëm për shkak të ngricave në rrugë. Për shkak të motit të keq në disa fshatra të Kukësit dhe Tropojës u ndërpre rryma elektrike.

Sipas meteorologëve temperaturat e ulëta do të mbeten nën minus edhe për 24 orët e ardhshme. Rritje të ndjeshme të tyre do të sjellë vetëm e mërkura e 20 Janarit, duke i përafruar ato në vlerat tipike të këtij muaji.

Tv Klan