Humbin jetën 2 vajza të mitura, shumë dëme materiale

Veriu i Italisë është përfshirë nga një valë e motit të keq gjatë kësaj fundjave. Dy vajza të vogla 3 dhe 14 vjeç humbën jetën, pasi një pemë që u shkul me rrënjë nga erërat e forta shkatërroi çadrën e tyre ku flinin sëbashku me familjen në një kamping në qytezën e Masës në bregdetin e rajonit të Toskanës.

Thyerja e pemëve nga erërat e forta ka rrezikuar jetën e disa banorëve në Milano, ku ekipet e emergjencës kanë zbarkuar rrugëve të qytetit për të pastruar prej tyre disa rrugë të bllokuara që janë bërë shkak edhe për disa aksidente automobilistike.

Problem nuk janë vetëm pemët, por edhe rrëshqitjet e tokës, si në rastin e qytezës së Oxhebios në Liqenin e Madh, që shkaktuan probleme në zonat e banuara. Rrëshqitjet e tokës po ashtu janë bërë shkak për izolimin e disa qytezave malore për shkak të bllokimit të rrugëve.

Pritet që e njëjta situatë të vazhdojë edhe gjatë javës së ardhshme, pasi autoritetet presin përkeqësim të motit.

Tv Klan